Meta: Hora e Arbëreshëve të bëhet pjesë e UNESCO-s, model për marrëdhëniet Shqipëri-Itali

schedule20:02 - 4 Nëntor, 2021

schedule 20:02 - 4 Nëntor, 2021

Presidenti Ilir Meta është takuar me komunitetin e arbëreshëve në Siçili. Ai thotë se vendosja prej tyre e flamurit të Kosovës, në krah të flamujve të Shqipërisë dhe Italisë e bëri edhe më të veçantë këtë vizitë. Kreu i shtetit thekson se duhet promovim dhe vëmendje ndaj kësaj pasurie europiane që sipas tij meriton të bëhet pjesë e UNESO.

“Thellësisht i lumtur dhe i emocionuar të ndodhem në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), kryeqytetin e arbëreshëve të Siçilisë, të krijuar pesë shekuj më parë nga familjet shqiptare, që ende sot trashëgojnë kujtimin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Mirënjohës për pritjen vëllazërore nga Kryetari i Bashkisë, z.Rosario Petta, autoritetet lokale dhe në veçanti nga arbëreshët e dashur. Vendosja prej tyre e flamurit të Kosovës, në krah të flamujve të Shqipërisë dhe Italisë mike e bëri edhe më të veçantë këtë vizitë, duke dëshmuar ndjenjat e forta kombëtare që kanë rrënjë të thella në zemrën e këtij komuniteti.

Promovim dhe vëmendje ndaj kësaj pasurie të çmuar të trashëgimisë europiane dhe botërore, që meriton plotësisht të bëhet pjesë e UNESCO. Hora e Arbëreshëvet është një model për marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Italisë, që meritojnë të zhvillohen më tej”, deklaroi Meta. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!