Krahas kthimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në Kuvend, Presidenti Meta i është drejtuar edhe Komisionit të Venecias për dhënien e një opinioni të pavarur në lidhje me to.
Në dekretin e publikuar prej tij konfirmohet se Presidenca i është drejtuar Komisionit tëVenecias me një kërkesë për të bërë një vlerësim ligjor në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Ndër të tjera, Meta shkruan:
Nëse mazhoranca qeverisëse do të kishte një vullnet të sinqertë për të realizuar një reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe standardeve ndërkombëtare, do të duhej që gjatë
shqyrtimit në Komisionin e Reformës Zgjedhore, pse jo dhe pas konstituimit të Këshillit Politik, t`i ishte drejtuar si OSBE/ODIHR, ashtu dhe Komisionit të Venecias për marrjen e një opinioni për të gjithë masat shtesë që ajo (mazhoranca) dëshironte të realizonte në rregullat zgjedhore. Ky veprim
nuk u krye, duke mos respektuar as kërkesat e shprehura të Opozitës së Bashkuar.
Pikërisht për këto arsye, që konstatojnë faktin se këto ndryshime të shpejta, të padialoguara dhe të pa dakordësuara, vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve, cenojnë jo një, por disa parime dhe të drejta kushtetuese, ashtu si dhe standardet, angazhimet dhe praktikën e mirë zgjedhore europiane; në mungesë të Gjykatës Kushtetuese funksionale; dhe në respektim të kërkesës zyrtare që më është paraqitur nga Kryetari i Opozitës së Bashkuar për marrjen e një opinioni pranë Komisionit të Venecias, si President i Republikës, në datën 21 tetor 2020, i jam drejtuar me një kërkesë urgjente Komisionit Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisionit të Venecias) për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces.
Cilat janë ndryshimet e Kodit Zgjedhor që u rrëzuan nga Meta:
Në ndryshimet në Kodin Zgjedhor përcaktohet se pragu kombëtar do të jetë 1 %, do të ketë ri-renditje të pjesës së parë të listës së kandidatëve bazuar tek vota preferenciale, i jep të drejtë kryetarit të partisë të garojë në 4 zona zgjedhore njëkohësisht dhe se për të kaluar pragun e listës, kandidatëve u vendoset prag tavan 10 mijë vota si dhe heqja e koalicioneve të përbëra dhe kandidimi me listë unike.
Renditja e listës
Lista bëhet nga kryetari i partitë. Kandidati mund ta prishë këtë renditje të bërë nga partia, vetëm nëse merr me shume votat parapëlqyese se sa mesatarja që ka marrë partia për të fituar një mandat deputeti në një qark të caktuar.
Ky ”pragu” me amendamentet e reja të propozuara sot nga Partia Socialiste është ulur në një maksimum prej 10 mijë votash.
Shpërndarja e mandateve
Sipas formulës së PS, shpërndarja e mandatit fillon sipas renditjes së kandidatëve nga i pari tek i fundit, në bazë të listës që ka bërë kryetari i partisë.
Renditja e kandidatëve ndryshon vetëm nëse kandidati ka marrë një numër votash parapëlqyese më të madhe se herësi, që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara, por jo më shumë se 10 mijë vota.
Për shembull marrim qarkun e Shkodrës që ka gjithësej 11 mandate dhe çdo parti ka dorëzuar një listë me nga 11 kandidatë të renditur me preferencë kryetari e jo me short apo rend alfabetik.
Nëse Partia Socialiste në qarkun Shkodër ka marrë 50 000 vota dhe ka fituar përmes tyre 5 mandate, llogaritet se një mandat deputeti korrespondon me 10 mijë vota.
Deri në këto momente fitues llogariten 5 kandidatët që kryetari i partisë ka renditur të parët.
Shembull hipotetik i ndarjes se mandateve sipas formulës së re.
Renditja mund të prishet vetëm nëse poshtë vijës së kuqe ka kandidatë që janë votuar më shumë se sa ata që janë sipër vijës.
Po kjo nuk mjafton.
Përveçse më të votuar, emrat poshtë vijës që të kalojnë në listën fituese duhet të kenë kaluar dhe pragun e votave mesatare. (Në rastin e shembullit tonë duhet të kenë marrë të paktën 10 001 vota).
Në këtë rast, kandidati kalon në listën fituese duke spostuar emrin e fundit të renditur nga partia në pjesën fituese (gjithnjë nëse është më i votuar se sa ai). Pra sipas këtij shembulli, digjet i rendituri i 5-ti. Tjetri sposton të 4-tin, e me radhë.
Pra emrat e votuar më shumë se mesatarja që janë poshtë vijës së kuqe, “vrasin” me radhë nga fundi të preferuarit e kryetarit. Kjo bën që të renditurit në fillim ta kenë thuajse të garantuar fitoren.
Koalicionet
Me ndryshimet e miratuara, partitë politike që duan të garojnë në 25 prill 2021, në koalicion mund ta bëjnë vetëm me listë unike dhe në një sigël të vetëm.
Kjo pikë u kundërshtua me forcë nga opozita jashtëparlamentare.
Lexoni të PLOTË arsyetimin e Presidentit Meta për kthimin e ligjit.