Presidenti Ilir Meta me rastin e 7 prillit 1939, dekoroi sot, me anë të një ceremonie solemne dy figura të shquara atdhetare, të cilët luftuan heroikisht kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.
Me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” u dekoruan pas vdekjes Isak Metalia “Për heroizmin e pashoq treguar në ditën e pushtimit fashist të vendit; për rezistencën dhe udhëheqjen e grupit drejt sakrificës sublime, në mbrojtje të lirisë së vendit, duke u bërë njëri nga heronjtë e parë të Luftës së Dytë Botërore.”;
Xhevdet Ballanca dekorohet pas vdekjes “Për kontributin e çmuar, dhënë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, për çlirimin e vendit nga okupatorët, si dhe për merita të veçanta si ushtarak karriere e drejtues me vizion në Forcat e Kufirit.”.
Ndërsa historiani zoti Sali Hidri u vlerësua me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin “Për kontributin e çmuar dhënë në fushën shkencore dhe arkeologjike, si dhe kumtesat, botimet e paraqitjet dinjitoze të mbajtura dhe përkthyera në akademitë prestigjioze, jashtë vendit.”
Në fjalën e tij, Presidenti Meta deklaroi sot se 7 prilli 1939, është një ditë e zezë në historinë e popullit tonë, por edhe një ditë nderimi për rezistencën heroike antifashiste të patriotëve tanë më të kulluar, që në momentin më të vështirë, i dolën për zot Atdheut, duke mos kursyer as jetën e tyre.
Mesazhi i Metës:
Sot përkujtojmë 7 prillin 1939, një ditë të zezë në historinë e popullit tonë, por edhe një ditë nderimi për rezistencën heroike antifashiste të patriotëve tanë më të kulluar, që në momentin më të vështirë, i dolën për zot Atdheut, duke mos kursyer as jetën e tyre.
Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al
Është detyra jonë t’i mbrojmë Heronjtë dhe veprat e tyre, pavarësisht ideologjive, periudhave dhe sistemeve të kohës, sepse në këtë mënyrë ne ruajmë kombin dhe rrënjët tona, që mbrohen më mirë duke i edukuar të rinjtë me dashurinë për Atdheun.
Me rastin e 75-vjetori të Çlirimit, pata kënaqësinë dhe nderin t’i jepja “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën në Republikën e Shqipërisë, Heroit të shquar të Rezistencës Antifashiste, Mujo Ulqinaku sepse kush më shumë se një figurë kaq patriotike, që i qëndroi betimit të tij si ushtarak para Flamurit Kombëtar, do ta meritonte këtë vlerësim të lartë.
Por ne e dimë shumë mirë, që kjo rezistencë ishte edhe e shumë bijave dhe bijëve të tjerë, nga më të mirët e Shqipërisë, që u ngritën dhe u bashkuan kundër një prej fuqive më të mëdha të kohës, Italisë fashiste.
Dëshmorët e Atdheut, që ranë në këtë ditë, janë edhe frymëzuesit e gjithë asaj rezistence të mëpasshme, deri në Çlirimin e plotë të vendit.
Sot kam kënaqësinë, që të nderojmë së bashku edhe Isak Metalinë, i cili edhe pse ishte mbi 60 vjeç, me pjekurinë dhe zjarrin e një patrioti të vërtetë u deklaronte shokëve përpara se të jepte jetën: ‘Unë e kam nda mendjen me luftue për vendin tim. U thoni fëmijëve të mi se vdiqa për Shqipërinë’.
Kjo fjali, thënë në çastet më të vështira të jetës së tyre u kthye edhe në një himn e frymëzim edhe për të tjerët, që luftuan deri në frymën e fundit./abcnews.al