Meta: COVID-19 u shfrytëzua për të shkelur të drejtat e njeriut, pranvera shqiptare po vjen

schedule19:36 - 25 Shkurt, 2021

schedule 19:36 - 25 Shkurt, 2021

Presidenti Ilir Meta ka ngritur shqetësimin se pandemia e koronavirusit po shfrytëzohet për shkeljen dhe cenimin e të drejtave të qytetarëve. Me anë të një postimi në rrjetet sociale Meta shkruan se përpjekjet e qeverisë për të kapur institucionet nuk janë kursyer as gjatë kësaj kohe duke kulmuar me dhunë policore, shembjen e teatrit dhe miratimin e koncesioneve që cenojnë kombin.

Ai ka ndarë mesazhin e komisioneres për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatoviç duke theksuar se ndan të njëjtin qëndrim se i duhet thënë ndal shkeljes së të drejtave të njeriut. Meta paralajmëron se me referendumin e 25 Prillit qytetarët kanë mundësinë të largohen nga kjo epokë e sundimit të demokracisë pasi sipas tij pranvera shqiptare po vjen.

“COVID-19 jo vetëm i thelloi pabarazitë në vend, por u shfrytëzua pabesisht edhe për shkeljen dhe cenimin e të drejtave të qytetarëve për motive, që nuk kishin asnjë lidhje me pandeminë. Përpjekjet e Qeverisë për të shkatërruar demokracinë dhe kapur institucionet e pavarura nuk u kursyen as gjatë kësaj kohe, duke kulmuar me dhunë policore shproporcionale ndaj qytetarëve, shembjen kriminale të Teatrit Kombëtar dhe miratimin e të tjera koncensioneve dhe akteve antikushtetuese, që cenojnë interesin publik e kombëtar.

Duke e përshëndetur mesazhin e Komisioneres për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç bashkëndaj të njëjtin qëndrim se ky duhet të jetë viti për t’i thënë NDAL shkeljes së të drejtave të njeriut. Me referendumin historik të 25 prillit, qytetarët shqiptarë kanë mundësinë të ndahen nga kjo epokë e errët e dhunimit të demokracisë dhe degradimit të shtetit ligjor.  PRANVERA SHQIPTARE PO VJEN!”, shkruan Meta./mv.abcnews.al