Meta: Autoritetet greke të zgjidhin situatën në Kakavijë, këto imazhe turpërojnë të dy vendet

schedule12:45 - 16 Gusht, 2020

schedule 12:45 - 16 Gusht, 2020

Presidenti Ilir Meta ka kërkuar informim me transparencë dhe realizimin falas të tamponëve për Covid-19 për qytetarët që presin në pikën kufitare të Kakavijës.

Meta thotë se kontaktet me Greqinë duhet të jenë konstante dhe funksion të një zgjidhje të menjëhershme.

Ai i kërkon autoriteteve greke të bëjnë pamundurën për zgjidhjen e situatës, imazhet e së cilës sipas tij turpërojnë të dyja vendet.

“Qytetarët shqiptarë, të cilët prej ditësh ndodhen në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në kushte tejet të vështira dhe në prag të një krize humanitare, nuk mund të trajtohen si njerëz pa Atdhe dhe pa shtet.

Përsëris thirrjen e fortë drejtuar qeverisë shqiptare për të qëndruar pranë qytetarëve dhe për të marrë të gjitha masat, për informimin me transparencë, realizimin FALAS dhe në vendin ku ndodhen të tamponëve për COVID-19.

Kontaktet me Greqinë të jenë konstante dhe vetëm në funksion të një zgjidhjeje të menjëhershme.

Aktet e forcës janë të papranueshme!

I kërkoj autoriteteve greke, që në respekt të frymës së fqinjësisë së mirë dhe lidhjeve të forta tradicionale mes dy popujve, të bëjnë të pamundurën për zgjidhjen e situatës, imazhet e së cilës turpërojnë të dyja vendet.

Çdo qytetar i republikës së shqipërisë meriton të trajtohet me dinjitet!”, shkruan Meta./abcnews.al

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/766977154087713/