Messi i pandalshëm në MLS, kampioni i botës shkëlqen tek Inter Miami

schedule16:36 - 21 Prill, 2024

schedule 16:36 - 21 Prill, 2024

Rekordin e Cristiano Ronaldo mund të mos e arrijë, por kjo nuk i prish punë. Më i miri i të gjitha kohëve në futboll nuk vendoset gjithmonë nga golat e shënuar, veçse Lionel Messi është një rast i veçantë, me “legjendën e gjallë” të topit, që i shtoi edhe dy rrjeta statistikave të tij fenomenale në një karrierë 20-vjeçare.

Kampioni i botës shënoi dy herë në fitoren 3 me 1 që Inter Miami arriti ndaj Nashville në Ligën Profesioniste Amerikane, MLS, ku edhe pse sfida filloi keq duke pësuar gol që në minutën e 2-të, argjentinasi ndihmoi të vetët në përmbysje.

Mesi barazoi në minutën e 11’-të dhe vetëm pak minuta më vonë shërbeu asistin për golin e avantazhit të realizuar nga ish-shoku i tij te Barcelona, Sergio Busquets, teksa nëntë minuta para fundit, “veterani” 36-vjeçar fiksoi shifrat përfundimtare të sfidës, me anë të një 11-metërshi.

Ai ka shtatë gola e tre asiste në 6 ndeshje të ligës amerikane këtë sezon dhe Inter Miami ka dalë në krye, ndonëse Red Bull Neë York ka një ndeshje më pak, ndërsa në total, Leo ka 20 rrjeta në 23 ndeshje për Majemin, të shoqëruara nga 10 asiste.

Në karrierë niveli i tij është e pabesueshëm, sidomos për rolin në fushë që është larg portës, me 836 gola e 405 asiste në 1078 ndeshje. Mesatarja është e jashtëzakonshme prej 0.78 golash për ndeshje.

Vërtet që kampioni nuk i ka shifrat e golave të Cristiano Ronaldo, që ka realizuar 41 rrjeta më shumë sesa ai, por kjo ka ndodhur në shumë më tepër ndeshje. Jo më kot, portugezi ka mesatare më të ulët prej 0.73 golash për ndeshje, dhe po ashtu Messi ka dhënë 100 e ca asiste më shumë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!