Mësoni se sa kafe duhet të pini në ditë që mos prekeni nga skleroza

schedule22:39 - 24 Korrik, 2022

schedule 22:39 - 24 Korrik, 2022

Skleroza e shumëfishtë shkaktohet si pasojë e “plagëve” që pësojnë neuronet. Dëmtimi i shtresës izoluese të tyre, mielinës, i bën neuronet të mos përcjellin normalisht mesazhet nëpërmjet potencialeve elektrike. Kjo pason çrregullim të funksionit të sistemeve përkatëse që kontrollohen nga këto neurone, si: lëvizjet, ecja, përqendrimi, ekuilibri dhe të folurit. Një ushqim i pasur në proteina, kalori dhe antioksidues është i nevojshëm për të luftuar infeksionet dhe shëruar plagët.

Një studim i ri ka zbuluar se njerëzit që konsumojnë deri në gjashtë filxhanë kafe në ditë janë më pak të rrezikuar që të preken nga skleroza e shumëfishtë. Kërkuesit shkencorë nga Instituti Karolinska në Stokholm, Universiteti Johns Hopkins në Maryland dhe Universiteti i Kalifornisë, Berkeley, shqyrtuan dy studime: njëri i kryer në Suedi ku u përfshinë mbi 1600 të rritur që vuanin nga skleroza e shumëfishtë dhe një grup tjetër me mbi 2 mijë persona që nuk vuanin nga asnjë sëmundje, ndërsa studimi tjetër ishte kryer në SHBA me mbi 1 mijë persona me sklerozë të shumëfishtë dhe mbi 1 mijë të tjerë të shëndetshëm.

Në të dyja studimet njerëzit u pyetën se sa kafe konsumonin në ditë dhe sa kohë kanë që konsumojnë kafe. Studiuesit më pas llogaritën konsumimin e kafes para se të shfaqeshin simptomat e sklerozës së shumëfishtë tek njerëzit me këtë sëmundje krahasuar me grupet e tjera të shëndetshme.

Rezultatet treguan se rreziku ishte më i lartë tek njerëzit që kishin konsumuar më pak kafe në ditë, pasi u morën parasysh edhe faktorë të tjerë që shkaktojnë këtë sëmundje.

Tek studimi suedez, konsumimi i kafes është lidhur me uljen e rrezikut për t’u prekur nga skleroza e shumëfishtë si në fillim të shfaqjes së simptomave ashtu edhe pas 5 apo 10 vitesh.

Tek njerëzit që konsumonin më shumë se 900 ml (6 filxhanë të vegjël) kafe në ditë rreziku ishte 28% deri në 30% më i ulët krahasuar me personat që konsumonin shumë pak kafe.

Të njëjta rezultate u arritën edhe në studimin amerikan, ku personat që konsumonin më shumë se 948 ml kafe në ditë ishin 26% deri 31% më pak të rrezikuar për t’ prekur nga skleroza e shumëfishtë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!