Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka përcjellë urimet e tij për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Bushati thekson se ky do të jetë një vit i vështirë, pasi nuk është e lehtë t’u thuash fëmijëve që nuk mund të përqafojë shokët dhe shoqet.
Mirëpo, përpos faktit të përballjes me pandeminë, ish-ministri vë theksin edhe tek një tjetër realitet.
“Në këto kohë të vështira për të gjithë botën, Shqipëria përballet edhe me sfidën e garantimit të mundësive të barabarta për edukim cilësor për këdo. Vetëm përmes edukimit cilësor do të jemi në gjendje të ndërtojmë një shoqëri më të zhvilluar e më të drejtë, ku nuk ka vend për përjashtim dhe mosbesim”, shkruan Bushati mes të tjerash.
Mesazhi i plotë nga Ditmir Bushati:
Dita e parë e shkollës shoqërohet gjithnjë me emocione, pavarësisht nëse hyn në klasë të parë apo në vitin e fundit të gjimnazit. Por ky vit nis ndryshe për të gjithë, me plot sfida të panjohura më parë për shkak të Pandemisë. Më të vegjlit nuk do të mund t’i japin dot përqafimin e parë mësueses së tyre, e bashkë me më të rriturit do të duhet të mësohen me normalitetin e ri të mbajtjes së distancës e të maskës.
Është e vështirë t’i thuash një fëmije mos të përqafojë shoqet e shokët e vet. E vështirë dhe për prindërit të shpjegojnë papushim rëndësinë e respektimit të rregullave të reja. Por të gjithë bashkë, ne emër të jetës, sigurisë së shëndetit dhe dijes do të duhet t’ia dalim.
Një vit plot sfida nis dhe për mësuesit, që bashkë me nxënësit u përballën me mësimin në distancë për shkak të Pandemisë, e që sot përpiqen të gjejnë e përshtasin forma të reja mësimdhënie për edukimin e gjeneratës së re.
Në këto kohë të vështira për të gjithë botën, Shqipëria përballet edhe me sfidën e garantimit të mundësive të barabarta për edukim cilësor për këdo. Vetëm përmes edukimit cilësor do të jemi në gjendje të ndërtojmë një shoqëri më të zhvilluar e më të drejtë, ku nuk ka vend për përjashtim dhe mosbesim. Suksese të gjithëve!
g.v/abcnews.al