Antonio Cassano ka gjithmonë diçka interesante për të thënë. Barezi i famshëm është një nga pengjet më të mëdhenj të futbollit italian të 20 viteve të fundit. Një talent unik dhe një kokë e krisur.
Potenciali i tij ishte i jashtëzakonshëm dhe me pak punë e profesionalizëm më shumë, sot do të ishim duke folur për një kampion të madh. Diçka të tillë e ka pranuar edhe vetë, por fjala peng nuk ekziston në fjalorin e tij.
Batuta nuk i mungon kurrë dhe prononcimin për “Corriere dello Sport” e nis me golin që e bëri të famshëm në Itali dhe jo vetëm. Ishte 18 dhjetori i vitit 1999, luhej Bari-Inter dhe në stadiumin San Nicola 40 mijë zemra dashuroheshin me dyshen e sulmit barez, që formohej nga Antonio Cassano dhe Hugo Enyinnaya.
I pari barez puro dhe vetëm 17 vjeç, i dyti nigerian dhe një vit më i madh. Afrikani zhbllokonte shifrat me një “predhë” nga larg dhe shpërthente në lot nga gëzimi. Christian Vieri barazonte shifrat për zikaltrit, ndërsa Marcello Lippi hidhte në fushë edhe Roberto Baggion e Alvaro Recoban për të siguruar tre pikëshin.
Emocionet nuk kishin mbaruar dhe dy minuta përpara fundit, Cassano shënonte një gol të mrekullueshëm. Marrje fantastike e topit, driblim i Blanc dhe Panuccit dhe rrjetë. San Nicola në ekstazë dhe një yll i ri po lindte.
“Jeta ime ndryshoi krejtësisht. Kanë kaluar 20 vite që nga ai gol. Gjëja më e bukur është se çdokush që më takon më pyet dhe ma përmend atë gol të shënuar kundër Interit”, thekson Cassano.
Enyinnaya u “zhduk” dhe e mbylli karrierën në Serie D, ndërsa Cassano luajti më vonë me Romën, Real Madrid, Sampdorian, Milanin, Interin dhe Parmën. Ishte një futboll ndryshe dhe 37-vjeçari e analizon në këtë mënyrë.
“Futbolli im ishte plot cilësi dhe kualitet. Në kohën time dinin ta luanin shumë mirë këtë lojë. Vetëm 5 futbollistë në Serinë A të sotme mund ta nisnin si titullar në kohën tonë… Unë kam luajtur me Ronaldon, Totin, Zidane, Del Pieron, Pirlon, Iniestën dhe Xavin. Sot është shumë e vështirë të gjesh lojtarë të tillë.”
Më pas një koment për Interin e tij të dashur, Mario Balotelin, ecurinë e skuadrave italiane në Champions League dhe kandidatët për fitimin e kupës me veshë të mëdhenj.
“Kampionatin e fiton Interi. Mario ka nevojë për një sezon të mirë dhe disa gola për t’u rikthyer në kombëtare. Ai është një lojtar i mirë, por më të fortët nga mesfusha e lart janë Chiesa dhe Insigne. Champions? Interi do të kualifikohet sepse është më i fortë se Dortmundi. Juventusi dhe Napoli nuk do të hasin probleme. Mendoj se do të kualifikohet edhe Atalanta.
Fituesi? Shpresoj shumë që të triumfojë Barcelona. Kam një pasion të madh për Mesin. Jo më kot djali im i dytë quhet Lionel. Mesi është futbollisti më i madh i historisë së futbollit. Është si Roger Federer në tenis. Në fillim është Roger dhe pas tij renditen të gjithë të tjerët”, përfundon Antonio Cassano. /abcnews.al