Në Spanjë e kanë të qartë se kundër Italisë i pret një gjysmëfinale e fortë dhe tepër e vështirë. Skuadra e Roberto Mancinit ka prodhuar futbollin më të bukur deri tani në Euro 2020.
Italia dhe Spanjë do të përballen sonte në “Wembley” për një biletë në finalen e madhe të turneut. Mesfusha e kaltër është reparti që tremb më shumë spanjollët.
Mediat iberike nuk i kanë kursyer elozhet për treshen Barella-Jorginho-Verratti, madje duke i krahasuar me mesfushën e paharrueshme të Barcelonës fantastike: Iniesta-Xavi-Busquets.
“Mesfusha e Italisë mbart me vete një ngjashmëri me atë të formuar nga Xavi-Busquets-Iniesta në Barcelonën e Guardiolës“, shkruan El Pais, teksa nuk mungon një koment nga Vicente Del Bosque.
“Kombëtarja aktuale e Italisë më ka befasuar pozitivisht“, deklaron trajneri i famshëm, i cili udhëhoqi kombëtaren spanjolle drejt fitimit të Botërorit (2010) dhe Europianit (2012). /abcnews.al