Fanelën ia detyron pikërisht Sylvinhos.
Jasir Asani u thirr papritur në kombëtare nga trajneri I sapoardhur Silvinjo, duke nisur nga marsi I vitit 2023, dhe padyshim që ia shpërbleu deri në fund.
Lojtari I talentuar I krahut, që luante atëherë në Korenë e Jugut, ku vazhdon edhe tani karrierën, shënoi gola të rëndësishëm si ndaj Moldavisë, Polonisë e Çekisë, me aftësi tërësisht individuale, që ndihmuan Shqipërinë të kualifikohej për në finalet e Kampionatit Europian, por tani po kalon një minikrizë kuqezi.
Pasi nuk u aktivizua për asnjë minutë në tri ndeshjet e fundit, Asani shfaqi një mesazh disi enigmatik në rrjetet sociale.
Në të, ai nuk pati fjalë, por vetëm një foto të vetën duke festuar pas një goli në Kore sikur po merr një telefonatë, me emoxhi një telefon dhe një fytyrë njeriu me syze.
Mos ndoshta, futbollisti 30-vjeçar ka ndonjë mesazh të koduar pikërisht për trajnerin Silvinjo, duke I shprehur pakënaqësinë, apo ndoshta edhe që mund të mos I përgjigjet thirrjeve për grumbullim në të ardhmen?
Natyrisht, këto janë vetëm hamendje, sepse koha do ta tregojë, por gjithsesi mesazhe të tilla normalisht nuk postohen pa qëllim.
Asani shënoi golin e fundit për kombëtaren në ndeshjen ndaj Ukrainës në Çeki në Ligën e Kombeve, në shtator të vitit të kaluar, ndërsa u aktivizua për 23 ndeshje radhazi, që nga ajo me Poloninë në mars 2023, deri në duelin me Anglinë në Londër në mars të këtij viti.