Mesazhi i fundit i futbollistit Emiliano Sala, avioni i të cilit u zhduk nga radarët dy ditë më parë mbi kanalin e La Mansh, i drejtohej një miku të tij. Mesazhi zanor në Uhats Ap tregonte se ai ishte i frikësuar dhe kishte përshtypjen se avioni po shpërbëhej. Por ish e fejuara e tij ka bërë apel që të hetohet dhe pista e mafias.
Kanë rinisur mëngjesin e të mërkurës kërkimet për avionin ku udhëtonte Emiliano Sala, i cili u zhduk nga radarët mbrëmjen e të hënës, teksa fluturonte nga Nante për në Cardiff City. Policia ka përqendruar vëmendjen në kanalin e La Mansh, ku një ditë më parë u gjetën disa mbetje që mendohet të jenë të avionit. Por tashmë orë pas ore mundësitë për të gjetur të gjallë argjentinasin janë shumë të reduktuara.
Në një mesazh zanor dërguar mikut të tij Sala shprehej shumë o frikësuar duke thënë se avioni po shpërbëhej.
Ish e fejuara e tij ka hedhur akuza të rënda rreth incidentit duke thënë se është e pabesueshme që kërkimet u ndërprenë pas gjetjes së mbetjeve të para të avionit. Në një mesazh në Tuiter ajo shkruante se duhej hetuar mbi mafian e futbollit pasi ajo nuk i besonte incidentit. Një mesazh që e fshiu menjëherë.
Prindërit e futbollistit, që jetojnë në Argjentinë u shprehën se ishin të dëshpëruar. Mediat ndërkohë publikojnë detajet e para duke thënë se piloti kishte mundur të ngrihej nga pista vetëm në përpjekjen e katërt meqënëse tre të parat dështuan për shkak të motit të keq. /abcnews.al