Mesazhi i Begajt, Bardhi i përgjigjet: U bë palë në konflikt dhe nxiti përçarjen mes palëve politike!

schedule18:51 - 15 Janar, 2024

schedule 18:51 - 15 Janar, 2024

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i është përgjigjur deklaratave të Presidentit Begaj, pas mbylljes së seancës së shkurtër në Kuvend si pasojë e kaosit dhe zhurmës së krijuar nga ‘Rithemelimi’.

Teksa i përgjigjet Presidentit, Bardhi shprehet se dha një mesazh të dëmshëm, pasi thekson se nuk u ngrit dot në rolin e tij si përfaqësues i unitetit të popullit, por foli me gjuhë të njëanshme.

Reagimi:

Qëndrimi publik i Presidentit të Republikës është mesazhi më i dëmshëm që mund të bënte për normalizimin e jetës parlamentare.

Ashtu siç pritej, Kreu i Shtetit nuk u ngrit dot në rolin e tij si përfaqësues i unitetit të popullit, por me një gjuhë të njëanshme, u bë palë në konflikt dhe nxiti edhe më shumë përçarjen mes palëve politike në Kuvend.

Duke e konsideruar këtë një akt antidemokratik dhe një sulm të pashembullt të Presidentit të Republikës ndaj opozitës, e siguroj që Grupi Parlamentar i PD dhe opozita është e vendosur të mbrojë pluralizmin demokratik në vend dhe Kushtetutën e Shqipërisë, edhe nëse Kreu i Shtetit ka vendosur t’ja dorëzojë kopjen e tij të Kushtetutës kryeministrit Edi Rama!

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!