Jeta për familjen e Dallëndyshe Hakushit nga Elbasani nuk është aspak e thjeshtë. 45 vjeçarja, prej më shumë se një dekade jetën e ndan mes spitaleve. Krahas problemeve të shumta ekonomike, edhe ata shëndetësore ia kanë vështirësuar së tepërmi jetesën. Familja Hakushi përbëhet nga 6 anëtarë, dhe tre prej tyre me sëmundje të rënda.
“Kam 13 vite me djalin prej hemofilisë, ndërsa nëpër spitale kam 40 vite sepse kam edhe vëllain me këtë sëmundje. Kam edhe vajzën 25 vjeç me epilepsi, edhe kunatin e sëmurë në shtëpi. Për të gjithë kujdesem unë.”
Dallëndyshja me djalin e saj Mikelin, paraqiten çdo dy javë në shërbimin e hemofilisë në QSUNT për të marr mjekim, ndërsa kthehet vite pas në kohë, kur mësoi diagnozën e djalit.
“Çdo të mërkurë këtu jemi. Njëherë në dy javë vijmë. Më përpara e mbaja me muaj në spital të shtruar, se i dilnin hematoma në bark. Në fillim e kanë mbajtur 2 muaj në reanimacion.”
Përveç sëmundjes së rëndë me të cilën jeton çdo ditë, Mikaeli ka pësuar edhe një dëmtim në këmbë, që e pengon të ecë.
“U rrëzua dhe pësoi dëmtim në këmbë, më anë thënë te spitali Memorial i Fierit që pasi të mbush 18 vjeç, do të kryej edhe ndërhyrjen kirurgjikale.”
Pavarësisht sfidave të shumta shëndetësore, dhe fatit që nuk i ka buzëqeshur, Mikaeli është një i ri me shumë ëndrra dhe vizion për të ardhmen. Ëndrra e tij është të bëhet mjek, dhe t’ju shërbej të vegjëlve./abcnews.al