“Përshëndetje, më shkruaj shqip. Nuk e kam harruar”, dëgjon në krahun tjetër të telefonit zërin e Altin Grbovic, ish-sulmuesit nga Novi Pazari që në Shqipëri ka spikatur me Shkumbinin dhe më pas kaloi te Skënderbeu në Korçë.
Karrira e tij nuk shkoi si duhet, pasi në moshë të re u detyrua të tërhiqej për shkak të dëmtimeve. Kjo ndodhi gjashtë vite më parë, kurse tani është 34 vjeç. Do donte të ishte ende duke shënuar gola, por ka mbetur në botën e futbollit.
“E kam përfunduar karrierën si futbollist shumë para se e mendoja. Ndodhi për shkak të dëmtimeve, që më ndoqën gjatë gjithë karrierës sime”, thotë fillimisht Grbovic për abcnews.al, i cili tani punon si trajner dhe menaxher.
“Vitet e fundit po punoj si agjent futbolli, por edhe në një akademi për fëmijë. Madje atje jam bashkë me mikun tim Semir Hadzibulic, i cili ka luajtur me disa klube në Shqipëri dhe ju e njihni besoj”, shprehet Grbovic, i cili sigurisht e ndjek Superioren dhe herë pas here bashkëpunon me klube të ndryshme.
“Nuk kam një klub specifik me të cilin punoj. Për shkak të kontakteve nga koha kur kam luajtur në Shqipëri, kam qëndruar në kontakt me njerëz që janë ende në futboll. Kryesisht me ish-futbollistë, kolegë të mitë, apo edhe ish-trajnerëve me të cilët kam punuar në Shqipëri”, tregon ish-sulmuesi, i cili në vendin tonë ka sjellë disa elementë cilësorë.
Semir Hadzibulic te Vllaznia, Stevan Racic te Partizani, Tarik Cmajcanin te Teuta dhe së fundmi Numan Kurtic te Kukësi, janë disa operacionit e Grbovic si menaxher. Njohja e gjuhës shqipe dhe e futbollit në vendin tonë e ndihmon atë për të sjellë lojtarë që mund t’i përshtaten futbollit shqiptar.
Altini vijon ta ndjekë Superioren, edhe prej rolit të ri si agjent. Ai ka fjalë të mira: “Tani kampionati është shumë më i mirë, futbolli luhet më shpejt dhe po investohet më shumë në infrastrukturë. Gjithashtu është më e lehtë të shesësh lojtarë nga Shqipëria.
Për këtë arsye lojtarët e kanë më të lehtë të vendosin të vijnë për të luajtur për klubet shqiptare”, shprehet Altin Grbovic. Ai shkon edhe më tej në vlerësimin e kampionatit tonë:
“Në Serbi dhe Bosnje Hercegovinë liga shqiptare është ende e panjohur. Të gjithë e dinë se shumë lojtarë vijnë në Shqipëri, por ata nuk janë aq të njohur me cilësinë. Unë mund t’ju them se përveç Yllit të Kuq dhe Partizanit të Beogradit, nuk ka ndonjë ndryshim të madh midis klubeve dhe ligave”.
Grbovic veçon edhe diçka tjetër, që i ka mbetur në mendje: “Fakti që futbolli nga mediat në Shqipëri ndiqet shumë dhe se gjithçka është transparente, ka mbetur në mendjen time. Njerëzit e duan futbollin dhe futbollistët, ata përpiqen të ndjekin trendet e klubeve të mëdha”.
Si një ish-sulmues, Altini nuk i shmanget një diskutimi të gjerë për mungesën e sulmuesve të mirëfilltë. “Tani ka shumë më pak sulmues të vërtetë, 9-sha të vërtetë. Kjo është arsyeja për mungesën e golave. Tregu është i varfër me sulmuesit dhe kjo është arsyeja pse ne mund të shohim që një sulmues mesatar ka një pagë si ato të lartat e 10 viteve më parë”.
E SHKUARA – Shkumbini sigurisht që mbetet në zemrën e tij dhe Grbovic do donte ta shihte sërish në elitën e futbollit shqiptar. “Kam kaluar periudhën më të mirë të jetës dhe karrierës time atje dhe do të doja të kthehesha në Shqipëri në një moment, mbase edhe drejtpërdrejt”, rrëfen 34-vjeçari.
Në vendin tonë Altini ka lënë shumë miq dhe me disa i ruan ende kontaktet. “Unë kisha disa miq të mirë në Shqipëri. Kam pasur marrëdhënie të mira me të gjithë, por kam qëndruar në kontakt me Bledar Hodon, Robert Grishajn dhe Bekim Kulin. Do të veçoja Bekimn, dëgjohem me të më shpesh dhe takoj kur vij në Shqipëri”.
Grbovic ka mbresa të mira për vendin tonë dhe e thotë hapur çfarë i ka lënë mbresa dhe si u dashuria me Shqipërinë. “Më ka bërë përshtypje mirësia e shqiptarëve ndaj të huajve, natyra, liria, deti. U dashurova me Shqipërinë”, tregon Altini, i cili në fund vihet në pozitë për të zgjedhur tre lojtarët më të mirë në Superiore gjatë kohës që luante vetë.
“Unë jam i pari (qesh). Jam duke bërë shaka. Gjithmonë më pëlqente Vioresin Sinani nga Vllaznia, Daniel Xhafa dhe Bekim Kuli. Më duhet të përmend edhe Migen Memellin nga Flamurtari. Të gjithë janë sulmues, por ata më lanë përshtypje. Megjithëse do të më duhej të rendis të paktën 20 më të mirët nga ajo kohë”, përfundon Grbovic. / abcnews.al