Ka një cep të Shqipërisë ku Pashkët nuk janë thjesht festë. Janë ndjesi, kujtesë dhe shpirt i gjallë… Një festival ngjyrash, besimi dhe traditash që përcillen brez pas brezi.
Bëhet fjalë për Zadrimën, një trevë me rrënjë të thella, ku mijëra besimtarë të krishterë prej shekujsh e jetojnë këtë kohë me përkushtim të rrallë, duke ruajtur rite dhe zakone po aq të bukura sa vetë njerëzit e saj.
Mes ditëve që i paraprijnë festës, të mbushura me procesione solemne e madhështore, vjen edhe një ditë ndryshe… më e qetë, më e butë, thuajse e përkëdhelur nga një ndjesi e brendshme paqeje. Është një ditë që mban në vetvete një hijeshi të veçantë, gati femërore në delikatesën e saj: E shtuna e madhe e bekimit të bukës.
Gratë me duart të ashpra e zemra të buta, i afrohen lehtazi kishave të zonës, mbathur me veshjet tradicionale, me trasta e mësalla në krah për të bekuar bereqetin e për të nisur mbarë “rilindjen” e Krishtit e ripërtëritjen e familjeve të tyre
Por si përgatitet buka e bekuar dhe trasta me ushqimet që çohen për bekim? Violeta Marku, ja ka marrë dorën dhe tashmë i përgatit “sa hap e mbyll sytë” trastën e saj shumëngjyrëshe.
Për dom Roland Markun, prifti I kishës së Nënshatit, kishë e fretënve kapuçinë, kjo ditë është e lidhur sa më zotin aq edhe me gratë. Kisha këtë ditë mbushet kryesisht me gjyshe, nëna e bija.
Por ka qenë një kohë, vec pak dekada më parë, kur e keqja që solli flama e komunizmit u mundua që zhdukte besimin e thërrmon shpirtin. Margerita Tusha, 65 vjeçare është dëshmitare e të dy kohëve.
Më pas erdhi liria e bashkë me të në fillim të 1991 dhe Pashkët e para pa xhandar mbi kry e pa frikë në zemër.. E në fakt toka e Zadrimes ka ditur ti ruajë e mbajë në mijëvjeçar këto tradita. Një zbulim befasues vjen nga Vatikani për dioqezën e Sapës, pjesë e së cilës këto troje kanë qenë të paktën prej gati 1000 vitesh, që nga moti i lashtë 1062.
Kjo tokë e vjetër, që u ka mbijetuar shekujve, pushtimeve dhe herë-herë edhe vetë bijve të saj, e di një të vërtetë të madhe: nuk ka lindje pa dhimbje dhe nuk ka rilindje pa sakrificë. Këtu jeta dhe vdekja kanë ecur gjithmonë bashkë, si dhimbja me trishtimin, por bashkë me to ka ecur edhe shpresa, ajo që i rikthen njerëzit gjithmonë te gëzimi dhe te drita.


