Yousra Elbagir, Sky News
Këngët dhe lutjet janë të dhimbshme dhe të dëshpëruara. Pranë vendit të shenjtëruar ku thuhet se lindi foshnja Jezus, një prift kryen lutjet sipas traditës. Për të dytin vit radhazi nuk ka asnjë pemë të ndriçuar bukur në shesh jashtë. Megjithatë komuniteti i krishterë palestinez në Betlehem po përpiqet të festojë.
Hapësirat boshe dhe mungesa e turizmit janë shumë të dukshme, pasi lufta prej 14 muajsh ka përfshirë Gazën duke krijuar një kujtim të dhimbshëm dhe një shkatërrim të vazhdueshëm të vendit. Ata kanë treguar frikën e tyre, pasigurinë edhe pse rrëfejnë se për asnjë moment nuk heqin dorë nga shpresa se një ditë gjithçka do të ndryshojë.
“Vendi ynë po tkurret”
“Normalisht ne i kalojmë Krishtlindjet në Betlehem dhe Jerusalem, por këtë vit nuk ka festime për shkak të asaj që po ndodh me luftën. Nuk është bukur të festosh, ndërsa njerëzit po vdesin,” thotë Alice Kisiya.
Alice është nga Beit Jala, Betlehem. Për pesë vjet, familja e saj ka zhvilluar beteja ligjore me kolonët për shtëpinë e tyre të trashëguar me breza.
“Vitin e kaluar ne po festonim Krishtlindjet atje dhe ata erdhën dhe na prishën çadrën e vogël”, thotë Alice.
Ajo dhe familja e saj janë duke pritur për një vendim të Gjykatës së Lartë nëse janar në mund të kthehen apo jo.
“Vendi ynë po zvogëlohet. Si të krishterë palestinezë, ne nuk mund të kemi vërtet lirinë tonë për të lëvizur lirshëm dhe situata sa vjen e po përkeqësohet.”
Fjalët e saj janë të trishta, ndërsa udhëtimi jonë vijon përgjatë murit të Bregut Perëndimor në skajet e Betlehemit. Ndërkohë në anën tjetër të murit nga vendi i shenjtë ku lindi Jezusi është vendi ku ai u kryqëzua në Jerusalem. Aty dëgjojmë se procesioni i Patriarkut Latin të Jeruzalemit do të mbërrijë së shpejti përmes një postblloku brenda murit në Betlehem në Kishën e Lindjes. Një turmë katolikësh po e presin pranë Varrit të Rakelës, një vend i shenjtë për hebrenjtë ortodoksë.
Ka një ndjenjë të heshtur pritjeje dhe frike nga ata që presin që kardinali Pierbattista Pizzaballa të mbërrijë nga Kisha e Varrit të Shenjtë – ku Jezusi u kryqëzua – në Kishën e Lindjes së Krishtit, ku ai lindi.
“Kjo është një traditë e rëndësishme më shumë se një mijëvjeçare,” thotë Tony Marcos, Dekan i Fondacionit të Veprimit Katolik.
Si një banor palestinez i Bregut Perëndimor, Toni nuk lejohet të bëjë procesionin midis dy vendeve të shenjta.
“Duket se fati i kësaj Toke të Shenjtë është të qëndrojë i ndarë dhe këto janë kohë të vështira në të cilat po jetojmë. Krishtlindjet janë sezoni i dashurisë dhe stina e shpresës. Ka dhimbje të mëdha, paqëndrueshmëri, shumë sakrifica dhe shumë gjak,” thotë ai.
“Dëshirojmë që viti i ardhshëm të jetë plot dritë”
Por pavarësisht të gjithave ankthi duket se zhduket kur vjen kardinali Pizzaballa. Ai shtrëngon duart me një radhë njerëzish që tentojnë të takojnë udhëheqësin e Kishës.
“Këtë Krishtlindje, ne duam që njerëzit të mos e humbin shpresën. Është e mundur të thyejmë urrejtjen, ndarjen, përbuzjen dhe mungesën e drejtësisë dhe dinjitetit që po përjetojmë këtu,” thotë kardinali Pizzaballa, duke shtuar se: “Lutja jonë është që të shohim përpara, jo prapa. Ne dëshirojmë që viti i ardhshëm të jetë plot dritë”