“Mes djemsh” vjen në shqip/ Një libër mallëngjyes dhe rrëmbyes, histori për dashurinë e vërtetë

schedule09:40 - 16 Prill, 2024

schedule 09:40 - 16 Prill, 2024

Kryeredaktorja e shtëpisë botuese “Pegi”, Aida Baro, e ftuar në emisionin “ABC e Mëngjesit” në ABC News, foli për librin e fundit të sjellë shqip “Mes Djemsh”, pjesë e koleksionit “Fluturzat”, e shkrimtares Emma Noyes.

Teksa zbuloi pak nga subjekti i librit, Baro tha se në këtë libër trajtohet historia për dashurinë  e vërtetë, të vetes.

“Kjo është historia e një djaloshi që nuk mund të dashuronte dhe e një vajze që nuk donte të binte në dashuri. Xhini Mërfi ndihet mjaft mirë mes djemve. Miqësia me ta gjithnjë i është dukur e thjeshtë, pa koklavitje, pa drama, të paktën për sa kohë askush nuk bie në dashuri me atë apo ajo vetë me ndonjërin prej tyre. Të gjithë janë pajtuar me këtë gjendje. Por një ditë, njihet me Adrian Silvasin, i vetmi që e nxit të dëshirojë shumë më tepër se thjesht miqësi. Prej atij çasti, Xhini fillon të vërë në pikëpyetje rregullat e veta.

Pak nga pak, Xhini dhe Adriani zënë e bien në një lidhje toksike dhe tepër të rrezikshme. Adriani, i cili ka parë shpirtcopëtimin e së ëmës, mendon se Xhini përbën një lloj kërcënimi për atë çka besuar deri më tani: që për dashurinë nuk ia vlen të rrezikosh asfare. Ndërsa për Xhinin, rreziku është dhe më i lartë. Po ta lërë Adrianin të bëhet pjesë e jetës së saj, ai mund të zbulojë një të fshehtë që ajo e mbron me thonj, për të cilën ndihet edhe në faj. Xhini nuk po kërkon shpëtim nga ndokush.

Mes djemsh, një libër mallëngjyes dhe rrëmbyes, është një histori e fuqishme për dashurinë e vërtetë, dashurinë për veten, si dhe vështirësitë e rritjes. Vetë autorja ka vuajtur nga bulimia. Kjo është historia e saj personale. Dua të theksoj se libri mund të gjendet në çdo librari në Shqipëri dhe Kosovë.”, tha ajo.