Policia e Tiranës ka vënë në pranga një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër të cilët dyshohet se përmes dokumentave të falsifikuar merrnin kredi.
Në kuadër të operacionit të koduar “Kredia-4”, është bërë i mundur ndalimi i H. L., 33 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi L. A.
Ndër të tjera mësohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe person atë tjerë të paidentifikuar kanë marrë kredi të vogla në institucione mikrofinanciare duke përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara.
Njoftimi i plotë:
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit në kredi.
Finalizohet nga specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, operacioni policor i koduar “Kredia-4”.
Ndalohet 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.
Specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit në kredi, zhvilluan dhe finalizuan operacionin e koduar “Kredia-4”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit:
H.L., 33 vjeç, banues në Tiranë. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. A. ( nuk jepen të dhëna tjera për arsye hetimi).
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë marrë kredi të vogla në institucione mikrofinanciare duke përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara.
Punohet për kapjen e shtetasit L. A. dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi në kredi“ dhe “Falsifikimi i dokumenteve.”/abcnews.al