Merr jetë “Ligji i Wenger”, fillojnë testimet pas propozimit të ish-teknikut francez

schedule14:36 - 20 Mars, 2024

schedule 14:36 - 20 Mars, 2024

Shkroi historinë me “Topçinjtë” e Arsenal dhe tashmë duket se do të ndryshojë komplet sportin e futbollit, të paktën sa i përket rregullit të pozicionit jashtë loje. Drejtori i Zhvillimit të Futbollit të FIFA-s, Arsene Wenger, së fundmi propozoi një ndryshim në rregullin për pozicion jashtë loje dhe sipas mediave testimi i këtij rregulli ka filluar prej disa muajsh.

Sipas ish-teknikut francez, futbolli duhet të fillojë të favorizojë sulmuesit në vend të mbrojtësve, siç është tani, dhe se rregulli i pozicionit jashtë loje duhet të ndryshohet plotësisht, teksa në propozimin e Wenger thuhet se një futbollist do të ishte në pozicion jashtë loje vetëm nëse i gjithë trupi i tij është para lojtarit të fundit të mbrojtjes në momentin kur i dërgohet pasimi.

“Ligji i Wenger” filloi të testohet muajt e fundit në turne për futbollistët e rinj në Suedi dhe Itali dhe Bordi Ndërkombëtar i Federatës së Futbollit (IFAB) miratoi vazhdimin e testimeve dhe nesë propozimi i tij do të miratohej nuk ka dyshim se do të ndryshonte plotësisht futbollin, të paktën nga ajo çka jemi mësuar të shohim deri më tani.

Kjo për shkak se, lojtarët do të duhej të kalonin një proces të vështirë përshtatjeje, në radhë të parë në atë mbrojtës, sepse lëvizja e tyre gjatë lojës do të merrte dimension krejt tjetër, megjithatë deri në shkurtin e vitit 2025 nuk pritet të ketë një ndryshim të tillë, pasi vetëm atëherë IFAB do të mblidhet sërish, për të shqyrtuar të gjitha testet e kryera.

Ilustrim i idesë së Wenger, ku në foton e mësipërme ka një situatë në të cilën futbollisti nuk do të ishte në pozicion jashtë loje, ndërsa në foton e mëposhtme do të sinjalizohej si ‘offside’:

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!