Gonzalo Higuain ka vuajtur shumë kohët e fundit. Nga një anë problemet shëndetësore të nënës së tij dhe nga ana tjetër fjalët e shumta rreth së ardhmes dhe largimit të tij nga Juventusi. Sulmuesi argjentinas është një tip i ndjeshëm dhe kritikat e kanë bërë të ndihet keq.
Pipita ka edhe një vit kontratë me bardhezinjtë dhe gjithmonë është shprehur se dëshiron të respektojë marrëveshjen. Mbrëmjen e kaluar u rikthye te goli. Juventusi mposhti 4-0 Leccen dhe Higuain shënoi golin e tretë pasi mori një asist të bukur nga CR7.
“Para së gjithash, pas një periudhe të keqe, ndryshova diçka te vetja dhe kuptova se skuadra kishte nevojë të mbyllte këtë sezon në mënyrën më të mirë të mundshme“, flet për Sky Sports, autor i 9 golave këtë sezon në të gjithë kompeticionet.
“Jam i lumtur që u riktheva. Tani duhet të pushojmë, të martën na pret ndeshja e radhës (Genoa-Juventus). Kam kaluar një kohë të vështirë, për shkak të pandemisë dhe gjendjes shëndetësore të mamasë time.
Duhet të vijojmë me fitore dhe ta mbajmë distancën e 7 pikëve me Lazion. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë, por kampionati është shumë i gjatë. Situata mund të ndryshojë nga momenti në moment“, deklaron sulmuesi i ekipit të Sarrit. /abcnews.al