Merkel viziton Shkupin dhe i “tërheq veshin” Thaçit dhe Vuçiç

schedule13:12 - 8 Shtator, 2018

schedule 13:12 - 8 Shtator, 2018

Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh qartë nga Shkupi se është kundër korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo i bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të votojnë në referendumin e 30 qershorit për të ardhmen e tyre.

Erdhi në Shkup jo vetëm për të dhënë mesazhe të rëndësishme për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin. Kancelarja gjermane Angela Merkel u prit me ceremoni zyrtare nga kryeministri Zoran Zaev. Pas një takimi të shkurtër në ndërtesën e qeverisë, ata dolën në një konferencë për shtyp, ku Merkel tregoi edhe njëherë qëndrimin e saj për korrigjimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës.

Angela Merkel, kancealre e Gjermanisë: “Në aspektin gjerman dhe evropian kemi interes për stabilitet në rajon. Kjo çështje është kryesore dhe për stabilitetin e Bashkimit Evropian. Unë besoj se integriteti territorial është kyç për rajonin”.

Ajo më pas përmendi edhe rëndësinë që ka referendumi për marrëveshjen për emrin me Greqinë. Merkel tha se ky është një shans që nuk vjen çdo ditë dhe e përmendi si mundësinë  më të mirë për të avancuar në procesin e integrimeve euroatlantike.

“Referendumi është mundësi për hapjen e dyerve për vendin tuaj që të bëhet pjesë e familjes euro-atlantike. Ju keni marrë ftesë të bëheni vend anëtar i NATO-s. Ju e keni mundësinë për anëtarësim në BE. Keni ende punë për të bërë, por kryesor është referendumi i 30 shtatorit. Kjo ditë është një mundësi historike për vendin tuaj. Kuptohet se nuk dua të ndërhyj në vendimin e qytetarëve tuaj, por nga përvoja ime personale mund të them se ky është një shans historik që nuk vjen çdo ditë. Është shans që një gjeneratë e ka vetëm një herë. Shpresoj të ndërmerren hapat kryesorë që vendi juaj të bëhet anëtar i plotfuqishëm i Bashkimit Evropian”.

Nga ana tjetër kryeministri Zaev konfirmoi angazhimin e tij për të çuar vendin përpara në procesin e integrimit euroatlantik. Shefi i qeverisë edhe njëherë i bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në referendumin për emrin. Ndërkohë, kjo ishte hera e parë në histori që një kancelar gjerman viziton Maqedoninë./abcnews.al