Merkel: Ushtria europiane, domosdoshmëri

schedule22:53 - 13 Nëntor, 2018

schedule 22:53 - 13 Nëntor, 2018

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbështetur propozimin e Makron për krijimin e ushtrisë europiane. Ndërkohë, presidenti francez është gjendur sërish nën sulmet e Donald Trump, që i ka thënë atij se po të mos ishte për Amerikën, francezët sot do të flisnin gjermanisht.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar të martën se krijimi i një ushtrie europiane të integruar është e domosdoshme. Merkel tha se kontinenti i vjetër duhet të mësojë nga Lufta e Parë Botërore dhe përçarjet që çuan në fillimin e konfliktit.

“Duhet të punojmë për vizionin e një ushtrie të vërtetë europiane”, tha Merkel në një fjalim të mbajtur në Parlamentin Europian.

Kancelarja mbështeti sugjerimin e bërë fundjavën e kaluar nga presidenti Emanuel Makron, i cili u kundërshtua ashpër nga presidenti amerikan Donald Trump. Trump vijoi me sulmet e tij ndaj homologut francez edhe të martën, përmes një seri postimesh në Twitter që vunë në dukje se lidhjet dikur miqësore mes dy liderëve i përkasin së shkuarës. Në postimet e tij, Trump komentoi me tone ironike deklaratat e shefit të Elizesë se Europa duhet të jetë në gjendje të mbrohet vetë.

“Macron sugjeron të ndërtojë ushtrinë e vetë për të mbrojtur Europën nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia. Por ai harron se ishte Gjermania armiku në dy luftërat botërore. Si shkuan gjërat për Francën atëherë? Francezët filluan të mësonin gjermanisht derisa ndërhyri Amerika”, tha Trump.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se problemi i vërtetë i Makron është niveli i ulët i popullaritetit të tij, 26 për qind, si dhe papunësia në Francë që është në nivelin 10 për qind.

“Tani ai po e kthen vëmendjen në një çështje tjetër”, vijoi Trump, që akuzoi Francën edhe për praktika tregtare të paligjshme.

Ndërkohë, ideja e Makron u mbështet të martën nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili u shpreh se është normale që një bllok i fortë ekonomik si BE-ja të ketë kapacitetet e duhura për vetëmbrojtje./abcnews.al