Merkel: Koha për hapjen e negociatave, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në të njëjtin grup

schedule19:47 - 17 Janar, 2020

schedule 19:47 - 17 Janar, 2020

Gjermania dëshiron hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkim Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka biseduar lidhur me këtë të enjten në takimin me homologun kroat, Andrej Plenkovic. Kroacia ka marrë presidencën e BE-së deri në qershor.

“Unë besoj që Shqipëria i ka përmbushur shumicën e kritereve që kemi kërkuar si vend, veçanërisht sa i përket procesit të Vettingut dhe rikonstruktimit të gjykatave, dhe tashmë është koha për hapjen e negociatave. Parlamenti ynë gjithashtu ka shprehur një numër shtesë të kushteve. Në Maqedoninë e Veriut ishte bërë një kapërcim i madh kur u zgjidh çështja e emrit. Unë besoj që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në të njëjtin grup,” ka thënë kancelarja gjermane Merkel pas takimit të enjten me kryeministrin kroat Andrej Plenkovic.

Kancelarja ka vënë në dukje se në takimin e Këshillit të Ministrave të BE-së në dhjetor nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje me Macron, por ka theksuar se do të shohë nëse mund të bëhet diçka në takimin e Këshillit në mars.

Ndërsa kryeministri kroat, Andrej Plenkovic, ka folur edhe lidhur me procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, dhe për kërkesën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, që negociatat të rinisin përpara Samitit të Zagrebit. Ai  ka thënë se ende nuk kanë hyrë në detaje përsa i përket çështjes së negociatave, por ka thënë se në Samitin e Zagrebit që do të mbahet më 5-6 maj do të diskutohen të gjitha çështjet që kanë karakter politik dhe që janë të hapura dhe ka vënë në dukje se pret përparim nga ai Samit për Ballkanin Perëndimor.