Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të hënën në Beograd se është interes gjeo-strategjik i Bashkimit Evropian që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtarë të bllokut.
Ajo i bëri këto komente në Beograd pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me të cilin diskutoi reformat e brendshme politike si dhe procesin e integrimeve evropiane.
“Ne, që tashmë jemi anëtarë të Bashkimit Evropian, duhet të kujtojmë gjithmonë se është me interes absolut gjeo-strategjik për ne që t’i bëjmë këto vende (të Ballkanit Perëndimor) anëtarë të BE-së”, tha kancelaria Merkel.
Serbia aspiron integrimet evropiane por përparimi i saj varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën e cila shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008. Beogradi refuzon të njohë pavarësinë e saj, por presidenti serb Vuçiç tha se Serbia e di mirë cili është kushti për anëtarësim.
“Ne zhvillojmë bisedime seriozisht. Jemi të gatshëm të bisedime për zgjidhje kompromisi, të rregullojmë marrëdhëniet tona, të kemi liri të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitalit dhe jam i sigurt që do të gjendet një zgjidhje kompromisi. Por, jemi të ndërgjegjshëm se pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës, nuk do të jemi pjesë e Bashkimit Evropian”, tha presidenti serb.
Duke u përgjigjur ne pyetjen e gazetarëve se kur do të ndodhë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, kancelaria Merkel tha se “disa çështje do të zgjidhen vetëm në fund të një procesi. Të gjithë e dinë që Kosova nuk njihet nga të gjitha vendet anëtare të BE -së. E parë nga perspektiva evropiane, kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë që anëtarët e BE-së të pajtohen për procesin e pranimit. Patjetër që nuk ka kuptim të flasim gjithmonë për problemin e fundit para se problemet e tjera të mos zgjidhen”, tha kancelaria Merkel.
Pas vizitës në Serbi, zonja Merkel do të qëndrojë të mërkurën në Tiranë për të takuar kryeministrin Edi Rama dhe kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë integrimet evropiane.
Këtë muaj ajo i jep fund mandatit të saj si kancelare përgjatë të cilit në vitin 2014 hodhi edhe nismën e saj të njohur si procesi i Berlinit me synim, thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.
Vendet e rajonit ndodhen në faza të ndryshme në procesin e integrimit. Mali i Zi dhe Serbia tashmë kanë hapur negociatat për anëtarësim, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të hapjes së tyre, por aktualisht janë peng i mospajtimeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Kosova është e fundit në proceset integruese dhe i vetmi vend i rajonit, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shëngen./ VOA