Merkel bisedë telefonike me Johnson: Marrëveshja, e pamundur me kushtet tuaja!

schedule23:52 - 8 Tetor, 2019

schedule 23:52 - 8 Tetor, 2019

Një marrëveshje me Bashkimin Europian për Brexit, bazuar në planin e kryeministrit Boris Johnson është e pamundur. Kështu ka thënë kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë një bisede telefonike me kryeministrin britanik, sipas një burimi anonim nga Downing Street.

Sipas burimit në fjalë, i cituar nga BBC, Merkel ka vendosur si kusht që Irlanda e Veriut të mbetet në Unionin doganor, një gjë kjo e papranueshme për Londrën. Ndërkohë, gjatë një vizite të zhvilluar ditën e martë në Londër, kryetari i Parlamentit Europian, David Sassoli ka deklaruar se alternativat e Brexit janë dy.

“Ose shtyrja, ose dalja pa marrëveshje”, ka thënë Sassoli pas takimit me kryeministrin Johnson.

Sassoli ka shtuar se Parlamenti Europian është i hapur për një shtyrje, por ajo duhet të vijë me kërkesë të palës britanike. Ai ka shtuar më tej se mungesa e një akordi do të ishte pa diskutim një përgjegjësi e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar./ABC News Albania 24/7