Mercenarët e grupit privat rus Wagner gjenden në Bjellorusi, thanë të shtunën zyrtarët ukrainas dhe polakë, një ditë pasi Minsku njoftoi se ata po stërvisnin ushtarët bjellorusë në juglindje të kryeqytetit.
“Wagner gjendet në Bjellorusi”, shkruajti në një mesazh në rrjetin Telegram zëdhënësi i agjencisë ukrainase për kufirin, Andriy Demchenko. Ai tha se ishin pikasur në Bjellorusi “grupe të veçanta” të zhvendosura nga Rusia.
Disa luftëtarë të grupit Wagner kishin mbërritur në Bjellorusi që të martën, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters dy burime të afërta me luftëtarët.
Ministria bjelloruse e mbrojtjes qarkulloi të premten një video, ku sipas saj duken luftëtarë të grupit Wagner duke stërvitur ushtarët bjellorusë në një kamp ushtarak pranë qytetit Osipovichi.
Sipas Presidentit rus Vladimir Putin, kjo zhvendosje e grupit Wagner drejt Bjellorusisë ishte pjesë e marrëveshjes që i dha fund rebelimit në qershor, kur mercenarët morën kontrollin e një shtabi të ushtrisë ruse, marshuan drejt Moskës dhe për pak e futën Rusinë në luftë civile.
Drejtuesi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, nuk është parë më në publik që kur u largua nga qyteti jugor rus Rostov-on-Don, në orët e vona të datës 24 qershor.
Zëvendësministri për koordinimin e shërbimeve speciale të Polonisë, Stanislaw Zaryn, tha se edhe Varshava ka konfirmuar praninë në Bjellorusi të luftëtarëve të grupit Wagner.
“Mund të jenë aktualisht disa qindra prej tyre”, shkruajti zoti Zaryn në Twitter.
Polonia njoftoi këtë muaj se po përforconte kufirin e saj me Bjellorusinë, për t’u përgatitur ndaj kërcënimeve të mundshme.
Megjithëse nuk dërgoi forca bjelloruse në Ukrainë, Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko i lejoi Moskës të përdorë territorin bjellorus për të bërë sulmin e saj frontal ndaj Ukrainës në shkurt 2022 dhe ka lejuar që atëherë përdorimin e vendit të tij si bazë për armët bërthamore të Rusisë.
Organizata bjelloruse “Projekti Hajun”, që monitoron aktivitetin ushtarak në vend dhe që konsiderohet si formacion ekstremist nga autoritetet bjelloruse, njoftoi se një autokolonë e gjatë me të paktën 60 automjete hynë në Bjellorusi nga Rusia gjatë natës së të premtes.
Organizata tha se automjetet, ndër ta kamionë, fuoristrada, furgonë dhe autobuzë, mbanin targa të republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut në pjesën lindore të Ukrainës. Me një lëvizje që konsiderohet e paligjshme, Moska vendosi vitin e kaluar t’i aneksojë këto republika, të cilat kanë shërbyer si vasalë të Rusisë që nga viti 2014.
“Projekti Hajun” tha se një autokolonë e grupit Wagner dukej se po i drejtohej Tselit, në pjesën qendrore të Bjellorusisë, ku gazetarëve të huaj u ishte treguar javën e kaluar një kamp me qindra tenda të ngritura.
Një video e qarkulluar të shtunën në mbrëmje nga korrespondenti rus i luftës Alexander Kotz tregonte një autokolonë kamionësh dhe autoblindash në një autostradë në Rusinë jugore, disa prej të cilëve mbanin flamurin e grupit Wagner.
Agjencia e lajmeve Reuters nuk mundi të verifikojë në mënyrë të pavarur njoftimet e organizatës bjelloruse Hajun. Gjithashtu, nuk pati komente të menjëhershme nga Rusia apo Bjellorusia./VOA