Mungoi goli i kapitenit, por jo fitorja e skuadrës. “Zikaltërit” e Inter arritën një fitore të madhë, mbrëmjen e së premtes, që sapo lamë pas, teksa në “KSU Stadium”, të Rijadit mposhtën me rezultatin e thellë, 3 me 0, “Shqiponjat” e Lazio, duke kaluar kështu me spektakël, në finalen e madhe të Superkupës së Italisë.
Pas kësa fitoreje të madhe, disa fjalë për mediat i tha edhe tekniku, Simone Inzaghi, i cili pasi foli me superlativa për performancën e kënaqshme, të skuadrës së tij ktheu “sytë” nga përballja e së hënës, ku po në “KSU Stadium” do të sfidojnë “Blutë” e Napoli, kampionët në fuqi të Italisë, në finalen e këtij kompeticioni.
“Djemtë ishin shumë mirë, bëmë një paraqitje të mrekullueshme. Iu qasëm ndeshjes në mënyrën e duhur që në fillim. Bëmë një ndeshje të shkëlqyer dhe arritëm në finalen që donim. Tani duhet të rikuperojmë energjinë sepse do të jetë një finale shumë e vështirë kundër Napoli. Në këto dy ditë e gjysmë do të përpiqemi ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme”,- u shpreh tekniku italian. /i.m /abcnews.al