Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka udhëtuar drejt Arabisë Saudite, në vizitën e parë zyrtare nga një udhëheqës i Bashkimit Europian në këtë vend që nga shërthimi i luftës në Lindjen e Mesme, me sulmet amerikano-izraelite mbi Iranin. Meloni u prit në këtë vizitë nga princi i kurorës Mohammed bin Salman.
Vizita kryesisht ka për qëllim të shfaqë mbështetjen e Romës zyrtare ndaj partnerëve të Gjirit që përballen me sulme iraniane, si dhe të sigurojë furnizimin e Italisë me energji, ndërsa qeveria po përballet me rritjen e çmimeve të karburanteve. Zyrtari shtoi se Italia do të konfirmojë synimin e kompanive të mëdha italiane, përfshirë gjigantin energjetik Eni, për të vazhduar investimet në Gjirin Persik.
Italia tashmë po furnizon partnerët e Gjirit me armë mbrojtëse për të kundërshtuar sulmet e mundshme iraniane dhe është e gatshme të shqyrtojë kërkesa të tjera nëse ato paraqiten. Para luftës, rreth 10% e konsumit total të gazit të Italisë sigurohej nga gazi i lëngshëm natyror (LNG) i Katarit, ndërsa nafta nga Lindja e Mesme përbënte rreth 12% të importit total të naftës italiane vitin e kaluar.
Së fundmi, Italia është njoftuar se furnizuesi i saj i Gjirit ka zgjatur pezullimin e dërgesave të LNG-së për shkak të afërmbylljes së Ngushticës së Hormuzit, duke anuluar 10 dërgesa midis prillit dhe gjysmës së dytë të qershorit. Sulmet iraniane kanë prekur gjithashtu 17% të kapacitetit të eksportit të LNG-së së Katarit, sipas CEO-së së QatarEnergy.
Si pjesë e përpjekjeve për të garantuar furnizime të besueshme energjetike në një mjedis të pasigurt, Meloni vizitoi javën e kaluar Algjerinë, duke synuar sigurimin e gazit shtesë nga ky vend i Afrikës Veriore. Mediat italiane kanë raportuar se Giorgia Meloni do të vizitojë së shpejti edhe Azerbajxhanin, një tjetër furnizues kyç i energjisë, por nuk mund të shkojë në Kuvajt për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Për të kompensuar mungesat e furnizimit, Italia do të fillojë të marrë gaz të lëngshëm nga impianti Golden Pass LNG në Shtetet e Bashkuara nga qershori, sipas dy burimeve që kanë njohuri për këtë çështje, të cilët kanë folur për mediat ndërkombëtare.


