Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u takua me presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump, në resortin e tij në Mar a Lago në Florida.
Meloni u mirëprit me duartrokitje, pasi presidenti i ardhshëm e prezantoi para stafit të resortit.
Udhëtimi i saj në Shtetet e Bashkuara vjen disa ditë para se të takohet me presidentin në largim Joe Biden, gjatë një vizite të tij në Romë nga e enjtja deri më 12 janar.
Ndërsa nuk janë bërë të ditura detaje të takimit të tyre, Meloni kishte planifikuar të fliste me Trump për luftën e Rusisë në Ukrainë, çështjet tregtare, Lindjen e Mesme dhe lirimin e një gazetareje italiane të arrestuar në Teheran, sipas raporteve të mediave italiane.
Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet Meloni është arrestimi i gazetares italiane Cecilia Sala në Iran më 19 dhjetor.
Giorgia Meloni është parë si një partnere potencialisht e fortë e Trump, duke pasur parasysh edhe bindjet e saj konservatore dhe stabilitetin e koalicionit të krahut të djathtë që ajo kryeson në Itali. Ajo gjithashtu ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë me miliarderin Elon Musk, një aleat i ngushtë i Trump.
Presidenti i zgjedhur shprehu vlerësimet më të larta për Melonin, duke e quajtur një grua të mrekullueshme, që ka pushtuar Europën.
Kryeministrja italiane është një nga liderët e paktë të huaj që viziton Trumpin në Florida që nga zgjedhjet e 5 nëntorit. Trump tashmë është takuar me presidentin argjentinas Javier Milei, kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe kryeministrin kanadez Justin Trudeau./abcnews.al