Meloni dhe Zelensky shkëmbejnë mesazhe në rrjetet sociale: Ukraina ka mbështetjen e Italisë

schedule11:33 - 28 Shtator, 2022

schedule 11:33 - 28 Shtator, 2022

Giorgia Meloni, liderja e partisë “Fratelli d’Italia” që fitoi zgjedhjet parlamentare në Itali, ka siguruar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky se Italia do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën kundër agresionit rus.

Meloni e deklaroi diçka të tillë në Twitter, duke iu përgjigjur postimit të Zelenskit që e uronte për fitoren në zgjedhje.

“I dashur Volodymyr Zelensky, ju e dini se mund të mbështeteni në mbështetjen tonë besnike për kauzën e lirisë së popullit ukrainas. Qëndroni të fortë dhe mbani besimin tuaj të palëkundur!”- ka shkruar Meloni.

Zelensky uroi Melonin dhe partinë e saj për fitoren në zgjedhjet për Parlamentin italian.

“Urime Giorgia Meloni dhe partisë së saj për fitoren në zgjedhje. Ne vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus. Ne mbështetemi në një bashkëpunim të frytshëm me qeverinë e re italiane”, shkroi presidenti ukrainas.

/abcnews.al