Meksikë, gjenden 20 trupa të varur në një urë

schedule12:30 - 10 Gusht, 2019

schedule 12:30 - 10 Gusht, 2019

Dhuna mes karteleve të drogës në Meksikë ka marrë tiparet e asaj të ushtruar nga Shteti Islamik. Pas përplasjes së radhës mes bandave, fraksioni fitues ka varur trupat e rivalëve në një urë, për t’u përcjellë qytetarëve mesazhin e forcës dhe të intimidimit.

Trupa të varur në një urë, të tjerë të copëtuar dhe të braktisur në asfalt. Gjithçka për të ndëshkuar rivalët, për të trembur qytetarët dhe për të treguar forcën brutale. Janë këto veprimet që mbajnë firmën e Halisko Nuova Generasion, karteli i ri meksikan që ka nisur një fushatë të madhe ekspansioni. Masakra e fundit ka ndodhur në lokalitetin Uruapan, në shtetin e Mikoaçanit dhe llogariten 20 viktima.

Policia i ka gjetur trupat teksa vareshin në një mbikalim, të tjerë të shtrirë në tokë e gjysmë të mbuluar, por me shenja të dukshme torturash dhe plagësh plumbi. Për autoritetet meksikane, bëhet fjalë për një teknikë të krimit të organizuar për të përcjellë një mesazh tmerri. Përgjegjësia e aktit është marrë përsipër përmes një pankarte, ku saktësohet se viktimat ishin anëtarë të një karteli rival.

Organizata kriminale e udhëhequr nga bosi i njohur me pseudonimin El Menço, është e angazhuar në një ofensivë globale që ka disa objektiva si: kontrolli i korridoreve të drogës drejt Shteteve të Bashkuara, spastrimi i rivalëve, vendosja e ligjit të saj në botën e krimit dhe vendosja e lidhjeve me klasën politike duke përdorur edhe akte dhune, me taktika ushtarake.

Për hetuesit, aktet e dhunës të përdorura nga Halisko Nuova Generasion ngjasojnë me ato të Shtetit Islamik, edhe pse sipas tyre mund të jetë rrjeti terrorist që në bëmat e tij ka kopjuar trafikantët e drogës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!