Në ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit, gazetari i një emisioni radiofonik në Meksikë është ekzekutuar me plumb në kokë. Në programin e tij, Santiago Enrikez denonconte korrupsionin në radhët e qeverisë.
Gazetari meksikan Santiago Enriquez, i cili punonte në një stacion radioje komunitare, u qëllua për vdekje në qytetin jugor Huçitan, duke u bërë gazetari i katërt i vrarë në Meksikë që nga fillimi i vitit. “Ai u qëllua në gojë dhe në zemër”, tha mbesa e tij të premten. Autoritetet, por edhe familja e gazetarit e cilësojnë vrasjen e tij një ekzekutim të lidhur me profesionin. “Në emisionet e tij Santiago Enriquez bëntë pjesë të analizave të tij edhe kritikat ndaj qeverisë. Kohët e fundit ai denoncoi publikisht autoritetet komunale për shpërdorim të fondeve publike”, deklaroi komisioni kombëtar i të drejtave të njeriut në një kominikatë. Vrasja e gazetarit të ri ndodhi pikërisht në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Meksika renditet e 147-ta nga 180 vende në indeksin botëror të lirisë së shtypit, duke qenë një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët, në të njëjtin nivel me Afganistanin, Sirinë dhe Jemenin. Në vitin 2018, dhjetë gazetarë u vranë në vendin latin, me shumicën e vrasjeve që kanë mbetur të pandëshkuara. /ABC News Albania 24/7