Nuk ishte në formën e tij më të mirë.
Këtë e kishte të qartë Berat Gjimshiti, por edhe trajneri i Atalantës, Paladino, ndonëse e hodhi titullar në një betejë shumë të ashpër në Serinë A.
Në Bergamo mbërriti Interi, ekipi që bashkë me Napolin dhe Milanin, janë pretendentët kryesorë për titull, dhe kapiteni i kombëtares shqiptare pati një mbrëmje për t’u harruar.
Gabimet e tij erdhën radhazi, dhe një herë u shpëtua nga pozicioni jashtë loje dhe nga ndërhyrja e VAR-it, një herë tjetër nga gabimi i sulmuesit zikaltër Markus Turam, ndërsa herën e tretë ishte gjithçka fatale.
Pasimi i tij i pakujdesshëm krijoi golin e vetëm të ndeshjes. Interi fitoi falë rrjetës së kapitenit Lautaro Martinez, dhe e mbajti vendin e parë në Serinë A me 36 pikë në 16 ndeshje, një më shumë se Milani e dy mbi Napolin.
Sa për Gjimshitin, vlerësimet nga mediat sportive italiane dhe kontinentale ishin negative. “La Gazeta delo Sport” i dha notën 4.5, duke e cilësuar më të keqin tek Atalanta.
“Eurosport” e veçon që në titull në faqen e portalit të tij, ndërsa i vendos notën 4 për gabimin e pafalshëm. Natyrisht, në paraqitjen e tij të dobët ndikoi fakti se erdhi direkt nga dëmtimi dhe nuk mund të kishte formën e duhur fizike dhe për të përballuar një ritëm kaq të lartë.
Mëkat, sepse kapiteni i Shqipërisë ka qenë vazhdimisht ndër më të mirët e Atalantës, madje dikur i shënoi Interit një gol të bukur, në fitoren e madhe bergamaske 4-1./abcnews.al

