Ish-presidenti Rexhep Meidani ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta parakohe të Bujar Nishanit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meidani sjell në vëmendje se Nishani ishte presidenti më i ri në moshë gjatë periudhës së pluralizmit politik.
Ish-presidenti kujton takimet me të, ndërsa thotë se i bënte përshtypje maturia, thjeshtësia dhe qetësia e tij. Meidani vlerëson gjithashtu mesazhet nga të dy kampet politike për humbjen e Bujar Nishanit, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme.
Mesazhi i plotë nga Rexhep Meidani:
Me keqardhje mësova se, më datë 28 maj 2022, u nda nga jeta Presidenti Bujar Nishani. Në bashkësinë e ish kryetarëve të shtetit shqiptar të periudhës së pluralizmit politik, ai, deri tani, ka qenë dhe kolegu ynë në moshën më të re. Ndoshta, e kam kontaktuar zotin Nishani dhe shumë kohë më parë, por në memorien time janë të regjistruara mjaft takime, qëndrime e biseda të përbashkëta, brenda dhe jashtë shtetit, vetëm disa vite para përfundimit të mandatit të tij si President i Republikës. Që në fillim, më ka bërë përshtypje maturia dhe thjeshtësia e tij dhe, mbi të gjitha, qetësia, angazhimi dhe përkushtimi serioz, brenda një brishtësie të përkohshme. Mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjellë për të u bë akoma më i qartë në mjaft veprimtari ndërkombëtare e rajonale, në të cilat unë dhe zoti Nishani, si ish kryetarë shteti, kemi përfaqësuar këndvështrimin politik shqiptar dhe vetë Shqipërinë. Në të gjitha rastet që kemi qenë bashkë, më gëzonte fakti që ai e konsideronte me ndershmëri politike, përgjegjësi qytetare e thjeshtësi njerëzore, si pjesëmarrjen, ashtu dhe vetë përgatitjen e kujdesshme apo referimin me dinjitet në veprimtari të tilla…
Lexova dhimbjen dhe pikëllimin në të gjitha reagimet e miqve besnikë dhe e shokëve të dashur të tij, por, në veçanti, një ndjenjë pozitive më krijuan dhe mjaft mesazhe nga të dy krahët e politikës shqiptare mbi humbjen e parakohshme të jetës së këtij personaliteti politik të tranzicionit shqiptar. Pavarësisht brendësisë së sinqeritetit të reagimit, e tillë duhet të jetë, në të vërtetë, jo vetëm gjuha politike, por dhe mesazhi publik e kodi etik në çdo rast tjetër, sepse rrezatimi i tyre në shoqëri veçse e bëjnë atë më njerëzore, më të shëndetshme dhe më të përkushtuar. Për këtë shoqëri të civilizuar, për një politikë të drejtë dhe një shtet human e demokratik, ai jetoi dhe punoi deri në ditët e fundit të jetës së tij. I paharruar qoftë kujtimi i tij!
Ngushëllime të sinqerta për familjen dhe të afërmit, miqtë dhe kolegët e tij të ngushtë!
Rexhep Meidani
Presidenti i Shqipërisë (1997-2002)
/abcnews.al