Mehmeti: Bëj maksimumin për Partizanin, duhet të jemi më kërkues

schedule19:25 - 27 Janar, 2022

schedule 19:25 - 27 Janar, 2022

Partizani nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Dinamon në derbin e luajtur në “Air Albania”, takim i vlefshëm për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Pas ndeshjes trajneri Dritan Mehmeti “qan” rastet e humbura, ndërsa nuk e pranon penalltinë e dhënë në favor të Dinamos me pretendimin se Bardhi nuk kishte fare kontakt me topin.

“Ishim shumë më tepër kërkues se Dinamo, në pjesën e dytë ishim në gjysmëfushën e Dinamos. Ndërrimet ishin ata lojtarë që janë më afër manovrës që kishim menduar për të sulmuar kundërshtarin. Ndodhin gabimet, sepse lojtarët nxitohen në momentet e fundit, nuk janë të kthjellët.

Lojtari nga i cili pres më shumë? Unë mendoj se skuadra, sa i përket lojës, po fillon të dalë në filozofinë e Partizanit, me një lojë bindëse. Loja ka ardhur në rritje, por të jemi më të qetë dhe të kthjellët në zonën e 16 metrave.

Penalltia? Nuk e kam parë nga ekrani, nga fusha e kam të vështirë të gjykoj. Ndoshta do ishte mirë të merrte pjesë VAR-i. Topin nuk e ka prekur fare lojtari i Dinamos, por unë kërkoj te skuadra ime. Të jemi më kërkues, mos t’ia lëmë iniciativën arbitrit dhe kundërshtarit, por të dërgojmë topin në rrjetë.

Të jem i sinqertë, skuadra kishte probleme kur e mora. Jam pjesë e familjes dhe tentova të bëj maksimumin. Karakteri im më kërkon të marr më të mirën. Jam krenar që drejtoj Partizanin. Futbolli është provim, do tentoj të bëj maksimumin që Partizani të shkojë aty ku e meriton. Unë dhe lojtarët duhet ta meritojmë këtë fanellë.

Mala, për nevojat dhe mënyrën e lojës së kundërshtarit, e spostova në linjat qendrore. Jam i detyruar të bëj manovra të tilla për të përshtatur dhe plotësuar skuadrën, edhe pse preferoj që lojtarët të luajnë në pozicionet natyrale. Stenio Junior është në pozicionin e tij natyral. Ai e nisi mirë lojën, por e zëvendësova sepse pësoi një tërheqje”, deklaroi trajneri i Partizanit. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!