Meghan këmbën tek qafa si George Floyd, “Charlie Hebdo” ironizon skandalin e familjes mbretërore

schedule17:48 - 13 Mars, 2021

schedule 17:48 - 13 Mars, 2021

Revista satirike Charlie Hebdo ka marrë një lumë kritikash pasi publikoi një karikaturë që tregon Mbretëreshën e Anglisë, Elizabeth II të gjunjëzuar në qafën e Meghan Markle. Në këtë mënyrë revista bën edhe paralele me mënyrën sesi vdiq afro-amerikani George Floyd në SHBA.

Numri i radhës i revistës, që nuk është hera e parë që merr kritika për karikaturat e guximshme dhe provokuese, ka ngjallur sërish indinjata vetëm disa ditë pasi Duka dhe Dukesha e Sussex akuzuan familjen mbretërore për racizëm.

Karrikatura të sjell në mendje mënyrën e tmerrshme në të cilën dha shpirt George Floyd, të cilit një oficer policie i mbajti këmbën në qafë, pavarësisht thirrjeve për ajër.

Pas tetë minutash me këmbën e oficerit Derek Chauvin në qafë, Floyd ndërroi jetë.

Kryetitulli i revistës është “Pse Meghan u largua nga Buckingham”. Mbretëresha shfaqet me gjurin tek qafa e dukeshës, ndërsa Meghan thotë “Sepse nuk mund të merrja më frymë”.

Karrikatura e radhës e Charlie Hebdo është e frymëzuar nga intervista që princi Harry dhe Meghan dhanë për Oprah Winfrey, që plasi një “bombë” në duart e monarkëve të Britanisë së Madhe. sb/abcnews.al/