Mega-operacion në Mal të Zi, arrestohen 8 persona, pjesë e grupit të trafikut të drogës nga Amerika Latine në Evropë

schedule20:40 - 27 Korrik, 2022

schedule 20:40 - 27 Korrik, 2022

Policia malazeze njoftoi të mërkurën se ka arrestuar tetë persona të dyshuar për pjesëmarrje në grupin ndërkombëtar të trafikimit të drogës nga Amerika e Jugut në Evropë.

Aksioni për arrestimin e të dyshuarve është kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit, për shkak të dyshimit se individët i përkasin një organizate kriminale ndërkombëtare që dyshohet se merret me kontrabandë me narkotikë.

“Personat e përmendur dyshohen për veprat penale të krijimit të organizatës kriminale dhe prodhimit, posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve. Gjatë përfundimit të aktiviteteve janë kryer masa dhe veprime policore-ligjore në territorin e shtatë shteteve dhe janë kryer kontrolle në gjithsej 52 zona” , njoftoi Drejtoria e Policisë së Malit të Zi.

Policia po ashtu tha se në këtë operacion morën pjesë “200 punonjës të policisë, gjatë të cilit janë kontrolluar gjithsej 33 zona në Mal të Zi dhe me atë rast janë gjetur dhe konfiskuar disa dhjetëra mijëra euro, ora të shtrenjta, karta bankare, dokumente, municione dhe armë, një automjet dhe një skaf”.

Gjatë vitit 2019, Drejtoria e Policisë filloi masat dhe veprimet policore-ligjore për mbledhjen e provave për një grup personash të përbërë nga shtetas të Malit të Zi, Italisë, Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Britanisë së Madhe, të cilët dyshoheshin se ishin përfshirë në kontrabandë ndërkombëtare të kokainës nëpërmjet rrugës Amerikë Jugore – Evropë, duke përdorur lloje të ndryshme anijesh./VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!