Kryeministri rus Dimitri Medvedev u shpreh se sanksionet reja të mundshme amerikane ndaj Rusisë janë një deklaratë lufte ekonomike. Kreu i ekzekutivit rus shtoi se kësaj deklarate Rusia do i përgjigjet me mjete ekonomike, politike dhe nëse do të jetë e nevojshme dhe me mjete të tjera.
Rusia e konsideron një masë lufte ekonomike mundësinë e sanksioneve të reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër bankave apo përdorimit të një monedhe të caktuar. Deklarata është bërë nga kryeministri rus Dimitri Medvedev, sipas asaj që raporton Agjencia Shtetërore ruse e lajmeve Tass.
Medvedev u shpreh se nuk dëshironte të komentonte diskutimet për sanksionet e reja, por nëse do të vendosen ndaj bankave atëherë kjo do të përbënte një deklaratë të vërtetë lufte ekonomike.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan të mërkurën e kaluar se do të vendosnin sanksione të reja ndaj Rusisë deri në fund të muajit gusht me akuzën se ka përdorur gaz nervin kundër një ish-agjenti sekret rus Sergei Skripal, dhe vajzës së tij në Britaninë e Madhe.
Sanksionet do të prekin pasuri që lidhen me sigurinë kombëtare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmendën dhe një seri të dytë sanksionesh pas 90 ditësh, nëse Rusia nuk do të japë prova bindëse se nuk do të përdorë më armë kimike. /abcnews.al

