Medvedev: Perëndimi nuk i shpall luftë Rusisë për shkak të armëve tona bërthamore, në rast rreziku ne do të marrim masa

schedule08:46 - 26 Dhjetor, 2022

schedule 08:46 - 26 Dhjetor, 2022

“Arsenali bërthamor i Moskës dhe doktrina për ta përdorur nëse integriteti territorial i Federatës Ruse kërcënohet janë arsyet e vetme që pengojnë Perëndimin t’i shpallë luftë Rusisë”, argumento ish-Presidenti i vendit Dmitry Medvedev në një artikull të botuar të dielën.

Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, thekson se Moska do të vazhdojë “operacionin special ushtarak” në Ukrainë derisa “regjimi i neveritshëm, pothuajse fashist” në Kiev të hiqet nga pushteti dhe vendi të çmilitarizohet plotësisht.

Nga ana e tij, Vladimir Putin, tha të dielën nga Rusia është e gatshme të negociojë me të gjitha palët e përfshira në luftën në Ukrainë, por Kievi dhe mbështetësit e tij perëndimorë kanë refuzuar dialogun.

Medvedev, i cili u pa si një modernizues liberal gjatë presidencës së tij (2008-2012), është një nga mbështetësit më të vendosur të pushtimit rus të Ukrainës. Ai denoncon rregullisht Perëndimin, të cilin e akuzon se aspiron të shpërbëjë Rusinë për të mirën e Ukrainës.

“A është Perëndimi gati të nisë një luftë të gjithanshme kundër nesh, edhe me përdorimin e armëve bërthamore, të udhëhequr nga Kievi?” pyet Medvedev në një artikull të botuar në gazetën Rossiyskaya Gazeta.

“E vetmja gjë që i ndalon armiqtë tanë sot është se ata e kanë kuptuar se qeveria e Rusisë udhëhiqet nga parimet themelore të politikës së parandalimit bërthamor. Dhe në rast se do të shfaqet një kërcënim real, ai do të marrë masa ndaj tyre”, thekson ai.

Presidenti Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë ruse kanë deklaruar vazhdimisht se doktrina e mbrojtjes së Rusisë dikton se armët bërthamore mund të përdoren vetëm nëse kërcënohet integriteti territorial i Federatës Ruse. Rusia ka arsenalin më të madh bërthamor në botë, me afro 6000 koka bërthamore, sipas vlerësimet e ekspertëve.

Disa javë më parë, presidenti rus paralajmëroi se rreziku i një lufte bërthamore po rritej, por këmbënguli se Moska “nuk është çmendur” dhe se ajo ende e sheh arsenalin e saj bërthamor vetëm si një mjet thjesht mbrojtës dhe parandalues./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!