Me anë të një deklarate të përbashkët për shtyp vendet anëtare të G7-ës, i kanë bërë apel Prishtinës dhe Beogradit që të normalizojnë marrëdhëniet nëpërmjet dialogut, pasi kjo është e vetmja mënyrë që të ketë qëndrueshmëri në rajon.
Shtetet anëtare të G7-ës i kanë bërë apel Prishtinës dhe Beogradin që të impenjohen në mënyrë konstruktive për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas mesazhit kjo synon një marrëveshje të ligjshme dhe të kuptueshme mes palëve.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp vendet anëtare i bëjnë apel Kosovës dhe Serbisë që të impenjohen në këtë drejtim në mënyrë që të ecin përpara dhe në integrimin europian të vendeve përkatëse.
Aty shtohet se pa një normalizim marrëdhëniesh mes Prishtinës dhe Beogradit nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, nuk mund të ketë qëndrueshmëri në rajon. Ministrat e jashtëm të G7-ës gjithashtu theksuan dhe konfirmuan impenjimin e tyre për sigurinë, qëndrueshmërinë, prosperitetin dhe perspektivën europiane të gjashtë vendeve partnere në Ballkanin Perëndimor.
Ata gjithashtu vlerësuan rëndësinë e përmirësimit të këtyre vendeve me anë të reformave të brendshme sidomos për sa i përket ligjit dhe rendit. Deklarata ishte pjesë e një dokumenti prej 25 faqesh i publikuar në faqen zyrtare të ministrisë së jashtme franceze.
G7 përbëhet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Italia, Japonia, Kanadaja, Franca dhe Britania e Madhe. /abcnews.al