Mediat në Kosovë: Të dyshuarit për vrasjen e policit malazez janë nga Shqipëria

schedule14:17 - 16 Dhjetor, 2019

schedule 14:17 - 16 Dhjetor, 2019

Polici kufitar malazez që humbi jetën pas plagëve të marra në kokë, është qëlluar nga shtetas të Shqipërisë. Kështu shkruajnë mediat malazeze, duke publikuar edhe inicialet e tre autorëve të dyshuar, anëtarë të të njëjtës familje, nga Malësia e Madhe.

Oficeri i Policisë Kufitare të Malit të Zi, Milutin Lekoviç, vdiq nga plagët e marra rreth orës 02:00 në Igalo.

Ai iu nënshtrua një operacioni të menjëhershëm pas plagosjes, por doktorët nuk arritën t’ia shpëtojnë jetën. Burimet e portalit Lajm thanë se Lekoviç nuk është vrarë nga shtetasit e Kosovës dhe se autorët e dyshuar janë shtetas të Shqipërisë. Lajmi raportoi se inicialet e personave që kanë qenë në makinën nga u qëllua janë L.H., L.H. dhe N.H. nga Malësia e Madhe, që të tre pjesëtarë të një familjeje, dy vëllezër dhe nëna e tyre.

Polici kufitar u godit në kokë nga një armë zjarri, e cila dyshohet se ishte gjuajtur nga ulësja e pasme e një makine zyrtare nga njëri prej tre personave të ndaluar. Të dyshuarit ikën pas të shtënave, në përpjekje për të kapërcyer kufirin, por u arrestuan rreth orës 17:00 në fushën e Sutorinit. Një burrë dhe një grua, të cilët ishin në shoqëri me sulmuesin, u arrestuan gjithashtu./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!