Mediat në Kosovë: Haradinaj takohet me Merkel në 6 qershor

schedule12:45 - 22 Maj, 2019

schedule 12:45 - 22 Maj, 2019

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj do të takohet në 6 qershor në Berlin me kancelaren gjermane Angxhela Merkel. Tema kryesore e takimit do të jetë liberalizimi i vizave dhe zhbllokimi i dialogut me Serbinë.

Zhbllokimi i dialogut mes Kosovës e Serbisë, heqja ose pezullimi i taksës 100% ndaj produkteve serbe e boshnjake, si dhe çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët pritet të jenë disa nga temat të cilat do të diskutohen në takimin e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj me kancelaren gjermane Angela Merkel, i cili do të mbahet më 6 qershor të këtij viti.

Mediat në Kosovë raportojnë se zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj konfirmoi se kreu i ekzekutivit në këtë takim do ta kërkojë mbështetjen e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave, si dhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Kryeministri Haradinaj në fillim të qershorit do të udhëtojë për në Berlin në një vizitë dyditore. Me ftesë të kreut të Bundestagut gjerman ai do të marrë pjesë në ‘Lutjet e mëngjesit’. Më pas do të vijojnë takimet me deputetë të Bundestagut. Tashmë dihet se kërkesat e Kryeministrit Haradinaj janë mbështetja e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave, për dialogun dhe për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale”, thuhet në deklaratën për mediat të Kryeministrisë. /ABC News Albania 24/7