Një ligjvënës finlandez kreu vetëvrasje të martën brenda ndërtesës së parlamentit, sipas raportimeve të mediave lokale. Një person ka vdekur në Parlament, gjë që duket se është vetëvrasje e një anëtari të parlamentit, raportoi e përditshmja finlandeze “Iltalehti”.
“Një vdekje ndodhi në mëngjes. Shërbimet e urgjencës mjekësore, njësitë e shpëtimit dhe autoritetet policore u njoftuan për vendin e ngjarjes nëpërmjet qendrës së urgjencës”, tha Aaro Toivonen, kreu i departamentit të sigurisë së parlamentit, siç citohet nga e përditshmja.
Toivonen nuk e mohoi informacionin kur u pyet nga transmetuesi finlandez “Yle” nëse çështja përfshinte një vetëvrasje.
Ai tha se nuk mund të komentojë mbi vendndodhjen e saktë të vdekjes brenda Parlamentit ose nëse ishte përfshirë një deputet apo një punonjës parlamentar.
“Ky është një rast shumë i pafat dhe i trishtueshëm”, shtoi Toivonen.
“Yle” raportoi gjithashtu se sipas policisë, rasti nuk përfshin një krim.
Ndërkohë, policia shtoi se disa njësi patrullimi dhe shërbime mjekësore të urgjencës ndodhen aktualisht në vendngjarje.

