Pas tri ditëve debat, ndryshimet kushtetuese për emrin e ri të Maqedonisë sot do të hidhen në votim në seancën e Kuvendit, që pritet të nisë nga çasti në çast.
Partitë e maxhorancës dhe kryeministri Zoran Zaev janë optimistë se do të mund të sigurohen 80 deputetë për të votuar pro ndryshimeve kushtetuese.
Mediat në Maqedoni kanë njoftuar se është arritur shumica prej 2/3 e votave, por se kjo duhet të konfirmohet gjatë votimit. Në mjediset e Parlamentit të Maqedonisë janë parë edhe deputetë të opozitës, të cilët ishin të akuzuar për ngjarjet e 27 Prillit, e që më pas gjykata i liroi të mbrohen në liri.
Burime të TV KLAN Maqedonia thonë se ka pasur kontakte intensive, ku janë përfshirë edhe diplomatë të huaj të akredituar në Shkup, në mënyrë që të sigurohet shumica e domosdoshme për implementimin e Marrëveshjes se Prespes edhe në ndryshimet kushtetuese. Ndërkohë, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së i ka bërë thirrje Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferit që të fillojë seancën, ku do të shihet nëse ekziston shumica e shumëpritur e votave .
VMRO-DPMNE ka përgënjeshtruar informacionet se 7 deputetë të saj do të votojnë “pro” ndryshimeve Kushtetuese. /abcnews.al