Mediat greke për pjesëmarrjen e ulët në referendumin në Maqedoni

schedule17:10 - 1 Tetor, 2018

schedule 17:10 - 1 Tetor, 2018

Sipas mediave greke një nga arsyet kryesore të pjesëmarrjes së ulët në referendumin e së dielës për emrin në Maqedoni, është fakti se 300 mijë banorë janë larguar nga vendi.

Rreth 300 mijë qytetarë nga Maqedonia janë larguar nga vendi vitet e fundit. Për këtë arsye pyetja se sa reale kanë qenë listat zgjedhore, është shumë serioze. Kështu e nisin analizën e tyre mediat greke për referendumin e së dielës për çështjen e emrit në Maqedoni.

Listat zgjedhore nuk janë rifreskuar prej 16 vitesh, pasi regjistrimi i fundit është bërë në vitin 2002, shkruan në analizën e saj e përditshmja greke “Ekathimerini”.

Sipas medias greke nëse në listën zgjedhore do të kishte rreth 1.2 milionë qytetarë që do të kishin të drejtën e votës, atëherë kryeministri Zaev sigurisht që do të kishte më shumë mundësi të arrinte fitoren e dëshiruar në referendum. Sdioqoftë edhe pse shumë qytetarë ishin të vendosur për të mos marrë pjesë, pavarësisht apeleve të ndërkombëtarëve, kryeministri Zaev do ta ketë shumë të vështirë që të bindë çdo vëzhgues objektiv se shumica e popullsisë është në mbështetje të “Marrëveshjes së Prespës”. Në këtë kontekst do të jetë edhe shumë më e vështirë që të sigurohet shumica e mjaftueshme dhe bashkëpunimi me opozitën në procesin e rishikimit të kushtetutës.

Mundësitë më të mëdha janë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare duke shtruar sërish si çështje, dilemën e pranimit të marrëveshjes me Greqinë si kusht për anëtarësimin në institucionet euroatlantike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!