Media belge: Konfiskohen honoraret e Shqipërisë në Eurocontrol për llogari të Becchettit

schedule21:14 - 5 Janar, 2021

schedule 21:14 - 5 Janar, 2021

Media belge “Lecho” në një artikull të publikuar mbrëmjen e sotme shkruan se janë konfiskuar honoraret e Shqipërisë në Eurocontrol për llogari të biznesmenit italian Fancesco Becchetti, i cili kërkon shumën që fitoi në arbitrazh me shtetin shqiptar, pasi Tirana humbi gjyqin.

Një mosmarrëveshje ligjore midis një biznesmeni italian dhe Republikës së Shqipërisë ka përfunduar me konfiskimin e honorareve që Eurocontrol i detyrohet Shqipërisë.

Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur duhet të kthehemi në vitin 2013, viti i zgjedhjes së Edi Ramës si Kryeministër në Shqipëri. 

Pasi erdhi në pushtet, ai anuloi dy koncesione dhënë biznesmenit italian Francesco Becchetti për të ndërtuar një hidrocentral dhe një fabrikë riciklimi” thuhet në shkrim.

Por si është historia? 

Më 24 prill 2019 gjykata i dha të drejtë biznesmenit italian duke i dhënë një kompensim 107 milionë euro, që duhet të paguhet nga shteti shqiptar. Edhe pse Shqipëria e ka kundërshtuar, biznesmeni italian nuk ka lënë gurët pa lëvizur.

Pas një kërkesë në Austri pak javë më parë (lexo ketu), ai iu drejtua gjykatës edhe në Belgjikë për konfiskimin e pasurive pronë të Shqipërisë. Dhe në Belgjikë gjykata i dha të drejtë për të kryer konfiskimet nga Eurocontrol, ku Shqipëria është një nga 41 anëtarët e këtij organi për mbledhjen e tarifave nga linjat ajrore për fluturimet mbi territore të ndryshme.

Tashmë tarifat në vend që të shkonin në arkën e shtetit shqiptar kanë shkuar në xhepin e biznesmenit italian. Vendimi është marrë në dhjetor të vitit të kaluar dhe shuma e konfiskuar është 170,000 euro, shumë larg 107 milionëve që duhet të paguajë shteti, por beteja ligjore nga biznesmeni sapo ka nisur.

Avokatët e Shqipërisë besojnë se honoraret e paguara nga Eurocontrol ndaj homologut të tij shqiptar Albcontrol (shoqëri shtetërore) nuk mund të konfiskohen. Avokatët e Francesco Beccheti nuk e ndajnë këtë mendim dhe besojnë se këto honorare mund të konfiskohen.

Kjo çështje do të jetë sërish objekt i gjykatës ditën e enjte. Çështja e imunitetit juridiksional do të jetë në qendër të debateve./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!