Medalja e certifikata nderi, KF Bulqiza feston me ceremoni ngjitjen në të Dytën

schedule09:37 - 13 Gusht, 2020

schedule 09:37 - 13 Gusht, 2020

Bulqiza do të garojë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Dytë, një arritje që nuk mund të kalonte pa një ceremoni të posaçme. Bashkia Bulqizë ishte organizatore, ndërkohë që lojtarët janë vlerësuar me medalje si dhe skuadrës i është dhuruar një kupë simbolike për suksesin e arritur.

Certifikatat e mirënjohjes nuk munguan, sikurse edhe fjala e kryebashkiakut Lefter Alla. “E para, dua ta theksoj që në fillim se një qytet i shëndetshëm dhe aktiv, njeh vlerën e jetesës aktive, aktivitetit fizik dhe sportit.

Së dyti, dua të theksoj se pavarësisht sipërmarrjeve private në fushën e sportit, pushteti vendor duhet të ketë një rol shumë aktiv, madje parësor në ngritjen, mbështetjen dhe konsolidimin e sporteve të ndryshme brenda territoreve që drejtojnë.

 

Së treti, aktivitet sportive, e sidomos kur rezultatet janë pozitive, padyshim që shërbejnë edhe në promovimin e qytetit, gjë kjo shumë e rëndësishme për ditët që jetojmë. Një tjetër arsye e rëndësishme se përse kemi këmbëngulur në ringritjen e KF Bulqiza është edhe çuarja më tej e traditës së sportit bulqizak”, ka deklaruar Alla mes të tjerash.

Ai vlerësoi emra si Sabri Abdiu, Tomor Shahini, Ilir Disha, Rami Hoxha, Artan Greva, Hakik Çekiçi e të tjerë,  të cilët kanë punuar me shpirt për ta ngritur futbollin në Bulqizë.  Në fund, kryebashkiaku Alla bëri edhe një apel për biznesmenët: “Dua të bëj një apel shumë të hapur dhe miqësor. Sigurisht që unë personalisht, qofsha kryetar i Bashkisë Bulqizë, ose jo, do ta vazhdoj mbështetjen time për KF Bulqiza.

 

Kjo skuadër është dhe do të jetë krenaria e qytetit tonë. Por, për ta çuar atë edhe më tej, ftoj të gjithë aktorët e ndryshëm social, biznesmenë, qytetarë e sportdashës, që jetojnë këtu apo jashtë vendit, të cilët kanë mundësi të kontribuojnë, që të na bashkohen në fuqizimin e KF Bulqiza. Le të bëhemi bashkë për ta futur KF Bulqiza në listën e skuadrave më të suksesshme në vendin tonë”.

Gjatë ceremonisë fjalën e mori edhe trajneri i KF Bulqiza, Hakik Çekiçi, i cili u shpreh entuziast se me mbështetjen e Bashkisë dhe donatorëve të ndryshëm, si dhe me vullnetin dhe këmbënguljen e djemve të skuadrës që drejton, futbolli bulqizak mund të zhvillohet dhe të arrijë në nivelet e skuadrave më të mira në vend dhe me gjerë.

 

Në emër të Klubit, administratori Andi Topi i dorëzoi Kryetarit të Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla trofeun e mirënjohjes, fanellën me Nr.1 me mbishkrimin L.ALLA, si edhe topin e firmosur nga i gjithë ekipi njëherazi.

Gjatë fjalës së tij, kapiteni i skuadrës Mirjan Pepa falënderoi të gjithë shokët e ekipit për lojën këmbëngulëse dhe bashkëpunimin që treguan gjatë gjithë vitit, duke bërë që KF Bulqiza të ngjitet për herë të parë në Kategorinë  e dytë.

Ai shprehu mirënjohje ndaj trajnerit Hakik Çekiçi për profesionalizmin e treguar në drejtimin e skuadrës, si edhe ndaj kryebashkiakut Alla, i cili i ka shoqëruar dhe mbështetur ata në çdo ndeshje.  Në fund të ceremonisë, Kryetari i Bashkisë Lefter Alla dhe Kryetari i Këshillit Bashkiak Gëzim Xhafa shpërndanë medaljet për lojtarët e skuadrës, si edhe certifikatat e mirënjohjes për personat që kanë kontribuar në rrugëtimin e KF Bulqiza. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!