Kapiteni Artur Meçollari, i ftuar në emisionin “Lufta dhe Paqja” me gazetarin Artur Zheji, komentoi mundësinë e Rusisë për t’u bërë një fuqi globale. Sipas tij, ka një arsye pse kjo s’mund të realizohet.
“Që të jesh një fuqi globale, një nga kriteret është që të kesh konfiguracion bregdeti dhe pozicionin gjeografik të favorshëm. Rusia nuk e ka sepse nuk ka dalje në oqeanin botëror për të influencuar ushtarakisht situatën globale. Ajo mund të ketë diplomatike, financiare, ekonomike por i mungon instrumenti i fundit dhe si e tillë strategjia ruse për të qenë një fuqi globale është një dëshirë dhe jo objektiv e cila nuk mund të realizohet.
Dhe këtu qëndron defekti dhe egoja perandorake dhe mundësia për të qenë e tillë. Por Rusia ka shansin e madh që ashtu sikurse NATO i propozoi në 1997 për t’u bërë anëtare, mund të jetë një komplementare e sigurisë evropiane por jo një kundërshtare. Kam besim se pas përfundimit të luftës në Ukrainë, Rusia do të bëhet pjesë e bashkëpunimit të sigurisë evropiane.”, theksoi Meçollari./abcnews.al