Me viza turistike false, arrestohen gjermani, dy sirianë dhe një palestinez në portin e Durrësit

schedule08:34 - 25 Tetor, 2021

schedule 08:34 - 25 Tetor, 2021

Katër persona janë arrestuar nga policia në Portin e Durrësit për falsifikim të vizave turistike. Në pranga janë vënë një gjerman, një palestinez dhe dy sirianë. Ndërkohë një shtetase siriane është vënë nën hetim në gjendje të lirë.

Policia njofton se gjermani me iniciale A.H. u kishte dhënë sirianëve dhe palestinezit viza turistike të falsifikuar me qëllim largimin nga Shqipëria. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Pritësi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kalimit të paligjshëm të kufirit dhe falsifikimit të dokumenteve. Operacioni i zhvilluar nga Policia Kufitare në Portin e Durrësit, në bashkëpunim me strukturat e DVP Durrës. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër. Sekuestrohen viza turistike të dyshuara të falsifikuara.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, si rezultat dhe i masave të shtuara, shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, në bashkëpunim me strukturat e DVP Durrës, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pritësi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

A. H., shtetas gjerman, për veprat penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo i vizave”;

A. A., 58 vjeç, shtetas palestinez, M. H., 33 vjeç, M. K., 46 vjeç, shtetas sirian, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo i vizave”.

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja R. F., 37 vjeçe, shtetase siriane, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo i vizave”.

Këta shtetas kanë tentuar të kalojnë kufirin duke përdorur viza turistike gjermane të dyshuara të falsifikuara, me anë të ndihmës së shtetasit A. H., në Pikën e Kalimit Kufitar Porti i Durrësit, në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. m.v/Abcnews.al